Botë

Izraeli kërcënon me përshkallëzim ushtarak në Siri

siri

Izraeli ka paralajmëruar se do të rrisë praninë ushtarake në pjesën jugore të Sirisë, në qoftë se forcat qeveritare siriane nuk tërhiqen nga zonat e banuara nga komuniteti druz, ka raportuar Associated Press.

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, ka njoftuar të mërkurën se ushtria “do të vazhdojë të sulmojë forcat e regjimit derisa ato të tërhiqen nga zona dhe do të rrisë nivelin e përgjigjes nëse mesazhi nuk kuptohet”.

Komenteve të Katzit, iu ka bërë jehonë një ditë më parë edhe kryeministri i vendit, Benjamin Netanyahu, tek ka deklaruar se Izraeli është “i përkushtuar për ta mbajtur rajonin jugperëndimor të Sirisë si zonë të demilitarizuar pranë kufirit” dhe ka po ashtu “obligim për të mbrojtur druzët lokalë”.

Autoritetet izraelite kanë aplikuar qasje agresive ndaj udhëheqësve të rinj të Sirisë që nga rrëzimi i Assadit, duke thënë se nuk i dëshirojnë militantë islamikë pranë kufijve të tyre.

Forcat izraelite kanë pushtuar një zonë neutrale të patrulluar nga Kombet e Bashkuara në territorin sirian përgjatë kufirit me Rrafshnaltën e Golanit dhe kanë ndërmarrë qindra sulme ajrore ndaj objekteve ushtarake në Siri.

Kërcënimet e lidershipit izraelit janë bërë pak kohë pas shpërthimit të dhunës në qytetin Suweida, ku armëpushimi i arritur mes forcave qeveritare siriane dhe grupeve të armatosura druzi u thye të mërkurën.

Në Ministrinë siriane të Mbrojtjes i kanë akuzuar milicitë lokale për shkeljen e marrëveshjes së armëpushimit, teksa kanë shtuar se forcat ushtarake i kanë rifilluar operacionet për të “mbrojtur banorët dhe për të garantuar kthimin e sigurt të atyre që janë larguar”.

Përplasjet mes grupeve të armatosura druzi dhe fiseve sunite beduine nisën të hënën pas një sërë rrëmbimesh ndërmjet të dyja palëve, që u ndezën si pasojë e ngritjes së një postblloku nga anëtarët e fisit beduin dhe grabitjes së një të riu druz.

Qendra Siriane për të Drejtat e Njeriut, me bazë në Britani, ka raportuar për të paktën 250 të vdekur që prej përshkallëzimit të dhunës, përfshirë gra, fëmijë dhe dhjetëra anëtarë të ushtrisë dhe forcave të sigurisë.

Izraeli sulmon Sirinë

5 o. më parë / 16 kor 2025 12:17
Izrael

Ushtria izraelite ka deklaruar të mërkurën se ka goditur zonën pranë hyrjes së Ministrisë siriane të Mbrojtjes në Damask, ka shkruar AP.

Sulmi ka ndodhur teksa përleshjet po vazhdojnë në qytetin jugor sirian të Sweidas, pas dështimit të armëpushimit mes forcave qeveritare dhe grupeve të armatosura druze.

Izraeli ka ndërmarrë një seri sulmesh ajrore ndaj autokolonave të forcave qeveritare që nga shpërthimi i luftimeve, duke pretenduar se po vepron për ta mbrojtur komunitetin druz.

Sekti fetar druz e ka origjinën që në shekullin e 10-të, dhe është degë e islamit shiit.

Më shumë se gjysma e rreth 1 milion druzëve që jetojnë nëpër botë ndodhen në Siri.

Pjesa tjetër jeton në Liban dhe në Izrael, përfshirë edhe në Rrafshnaltën e Golanit, të cilën Izraeli e kishte pushtuar nga Siria gjatë luftës së vitit 1967 dhe e kishte aneksuar më pastaj në vitin 1981.