Forcat ushtarake ruse kanë përparuar më tutje në rajonin verior të Ukrainës, Sumy, duke kërcënuar kryeqytetin rajonal pasi kanë marrë nën kontroll më shumë se 150 kilometra katrorë të zonës në më pak se dy javë, ka raportuar agjencia Reuters.
Pavarësisht rifillimit të bisedimeve për paqen, lufta është përshkallëzuar përderisa forcat ruse, të cilat tashmë kontrollojnë një të pestën e Ukrainës, kanë përparuar me ritëm të shpejtë, bazuar në hartën elektronike ukrainase “Deep State”.
Zyrtarët rusë patën deklaruar në prill se kanë dëbuar forcat ukrainase nga rajoni perëndimor rus i Kurskut, teksa presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar forcat e tij që të vazhdojnë ofensivën për ta krijuar një “zonë neutrale” në rajonin fqinj të Sumyt në Ukrainë.
Ministria ruse e Mbrojtjes ka njoftuar se trupat e saj kanë marrë nën kontroll vendbanimin Kindrativka dhe se tani ndodhen rreth 25-30 km larg qytetit të Sumyt, i cili tashmë është brenda rrezes së artilerisë dhe dronëve.
“Forcat e Armatosura Ruse po vazhdojnë ofensivën e suksesshme në veri të Sumyt”, ka deklaruar Yuri Podolyaka, një nga blogerët ushtarak pro-rus.
Harta e “Deep State” të Ukrainës, që ndjek zhvillimet në fushën e betejës, ka treguar se Rusia kontrollon 154.4 kilometra katrorë të rajonit të Sumyt dhe po e sulmon atë nga disa drejtime.