Forcat ruse kanë ndërmarrë një sulm të papritur në Ukrainën lindore pranë qytetit të minierave të qymyrit Dobropillia, një veprim që mund të jetë i projektuar për të rritur presionin mbi Kievin për të hequr dorë nga toka, në kohën kur presidentët e SHBA-së dhe Rusisë përgatiten të takohen.
Harta e luftës DeepState e Ukrainës tregoi të martën se forcat ruse kanë përparuar të paktën 10 km në veri në dy drejtime në ditët e fundit, pjesë e përpjekjes së tyre për të marrë kontrollin e plotë të rajonit Donetsk të Ukrainës, raporton Reuters.
Përparimi është një nga më dramatikët e vitit të kaluar. DeepState ka thënë se rusët kanë përparuar pranë tri fshatrave në një pjesë të vijës së frontit të lidhur me qytetet ukrainase të Kostyantynivka dhe Pokrovsk, të cilat Moska po përpiqet t'i rrethojë duke shfrytëzuar mungesën e trupave të Kievit.
"Situata është mjaft kaotike, pasi armiku, pasi ka gjetur boshllëqe në mbrojtje, po infiltrohet më thellë, duke u përpjekur të konsolidojë dhe grumbullojë shpejt forca për përparim të mëtejshëm", ka thënë DeepState në kanalin e saj Telegram.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, dhe presidenti rus, Vladimir Putin, pritet të diskutojnë një marrëveshje të mundshme për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë, kur të takohen në Alaska të premten.
Raportet e pakonfirmuara të medias thonë se Putini i ka thënë Trumpit se dëshiron që Ukraina t'ia dorëzojë pjesën e rajonit të Donetskut që Rusia nuk e kontrollon.