Forcat ruse kanë avancuar në jug të Ukrainës duke i pushtuar tri vendbanime dhe duke i sulmuar qytetet si Kharkivi me dronë. Përparimi i rëndësishëm i Rusisë ndodh në kohën kur Ukraina përballet me ndërprerje të energjisë elektrike dhe me luftime të ashpra në frontin lindor. E, diplomatët e G7-s po i diskutojnë mënyrat për ta mbështetur Ukrainën
Ushtria ruse ka pushtuar tri vendbanime në rajonin jugor të Zaporizhias në Ukrainë, ka thënë komandanti kryesor ushtarak ukrainas, teksa forcat ruse i kanë zgjeruar operacionet për të marrë nën kontroll më shumë territore ukrainase.
Komandanti ukrainas, Oleksandr Syrskyi, bëri të ditur se mjegulla e dendur ua ka mundësuar trupave ruse depërtimin te pozicionet ukrainase, teksa shtoi se njësitet ushtarake ukrainase po zhvillojnë luftime të vështira për ta ndalur avancimin rus.
Syrskyi tha se situata në vijën e frontit është përkeqësuar ndjeshëm, me humbjen e tri vendbanimeve.
“Situata është përkeqësuar ndjeshëm. Armiku, duke përdorur epërsinë e tij në numër ushtarësh dhe në pajisje, ka avancuar gjatë luftimeve të ashpra dhe ka pushtuar tri vendbanime”, ka deklaruar komandanti i përgjithshëm i ushtrisë ukrainase.
Ai theksoi gjithashtu se gjatë luftimeve me forcat ruse trupat ukrainase kanë përdorur armë me rreze të gjatë veprimi, që janë të prodhimit vendor.
“Po e përmirësojmë efikasitetin e sistemeve të prodhimit ukrainas, përfshirë raketat ‘Neptune’ dhe ‘Flamingo’, si dhe të dronëve me motor raketor, të cilët vazhdojnë të ndikojnë në operacionet e armikut”, ka shkruar Syrskyi në Telegram.
Aktualisht betejat më të ashpra janë duke u zhvilluar në qytetin e rrethuar të Pokrovskut, në rajonin lindor të Donetskut, ku ka pasur luftime gjatë 24 orëve të fundit.
E dronë rusë ndërkohë kanë goditur mëngjesin e së mërkurës edhe qytetin e Kharkivit, duke i lënduar pesë persona, sipas zyrtarëve lokalë.
Forcat ruse kryen të paktën tri sulme ndaj qytetit të dytë më të madh të Ukrainës, duke i synuar Qendrën Rajonale të Rekrutimit Territorial dhe të Mbështetjes Sociale, si dhe një kompani logjistike dhe transporti. Sulmet shkaktuan dëmtime edhe në ndërtesa dhe depo të tjera.
Krahas këtyre zhvillimeve, diplomatët kryesorë të Grupit të shtatë vendeve më të industrializuara janë duke mbajtur takim me ministrin e Jashtëm ukrainas, teksa Ukraina përpiqet të përballojë sulmet e vazhdueshme ajrore ruse, të cilat kanë shkaktuar ndërprerje të energjisë në të gjithë vendin.
Në kuadër të takimit të G7-s, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, do të marrë pjesë edhe në një sesion të veçantë për Ukrainën.
Ministrja e Jashtme kanadeze, Anita Anand, është nikoqire e takimit në Ontario, që po mbahet në kohën e thellimit të tensioneve midis SHBA-së dhe aleatëve të saj tradicionalë, si Kanadaja, mbi shpenzimet për mbrojtje, tregti dhe për pasiguritë e planit të armëpushimit në Gazë, të iniciuar nga presidenti Donald Trump, si dhe për përpjekjet për ta ndaluar luftën Rusi-Ukrainë.