Drejtori i FBI-së, Kash Patel ka thënë të hënën se ADN-ja në një peshqir të mbështjellë rreth armës që dyshohet se është përdorur për të vrarë aktivistin konservator, Charlie Kirk, është përputhur me të dyshuarin për vrasjen, i cili tashmë ndodhet në paraburgim.
Tyler Robinson, 22 vjeç, është arrestuar për vdekjen e influencuesit të krahut të djathtë gjatë një aktiviteti në një universitet në Utah të mërkurën. Një pushkë është gjetur pranë vendit të të shtënave dhe një kaçavidë është gjetur në çatinë nga ku është gjuajtur me armë.
"Mund të raportoj sot se gjurmët e ADN-së nga peshqiri që ishte mbështjellë rreth armës së zjarrit dhe ADN-ja në kaçavidë janë përputhur me të dyshuarin në paraburgim", ka thënë Patel për Fox and Friends.
Një akuzë zyrtare pritet këtë javë. Motivi ende nuk është përcaktuar.
Sipas një flete regjistrimi të të burgosurve të Sherifit të Qarkut Utah të siguruar nga BBC-ja, Robinson akuzohet për vrasje të rëndë, pengim të drejtësisë dhe përdorim të armës së rëndë të zjarrit.
Kirk u bë i njohur në nivel kombëtar si një figurë polarizuese në SHBA pasi ndihmoi në themelimin e Turning Point USA, një grup politik rinor i krahut të djathtë, dhe përdori audiencën e tij në internet për të mbledhur mbështetje për pika shumë të diskutueshme.
Babai i dy fëmijëve po vizitonte kohëve të fundit disa kampuse universitare në të gjithë SHBA-në për të debatuar me studentët e kolegjeve.