Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka bërë të ditur të martën se ka emëruar një ekip ekspertësh ligjorë për të filluar punën për një kushtetutë të re, e cila sipas kritikëve mund t’ia mundësojë atij të qëndrojë në pushtet përtej vitit 2028, kur përfundon mandati i tij.
Erdogan, i cili ka udhëhequr Turqinë si president që nga viti 2014 dhe ka qenë kryeministër për më shumë se një dekadë përpara kësaj, ka mbrojtur një kushtetutë të re duke argumentuar se ajo aktuale, e cila është hartuar pas një grusht shteti ushtarak në vitin 1980, është e vjetëruar dhe ruan elemente të ndikimit ushtarak, edhe pse është ndryshuar disa herë, raporton AP.
“Që nga dje, kam caktuar 10 ekspertë ligjorë për të filluar punën e tyre dhe me këtë përpjekje, ne do të vazhdojmë me përgatitjet për kushtetutën e re”, u ka thënë Erdogan administratorëve lokalë të partisë së tij në pushtet në një fjalim.
“Për 23 vjet, ne kemi demonstruar vazhdimisht qëllimin tonë të sinqertë për të kurorëzuar demokracinë tonë me një kushtetutë të re civile dhe liridashëse”, ka shtuar Erdogan.
Sipas kushtetutës aktuale, Erdogani nuk mund të kandidojë përsëri nëse nuk thirren zgjedhje të parakohshme ose nuk ndryshohet kuadri ligjor.
Kritikët e shohin shtytjen për një kushtetutë të re si një rrugë të mundshme për rizgjedhje, duke lejuar ndryshime ligjore që do të anashkalonin kufijtë e mandatit kushtetues.
Erdogan, i cili është bërë gjithnjë e më autoritar me kalimin e viteve, ka mohuar të kërkojë një kushtetutë të re për të mbetur në pushtet, duke thënë javën e kaluar "ne e duam kushtetutën e re jo për veten tonë, por për vendin tonë".
Partisë në pushtet të Erdoganit dhe aleatëve të saj nacionalistë i mungojnë votat e nevojshme për të futur një kushtetutë të re.
Disa analistë besojnë se përpjekja e fundit e qeverisë për t'i dhënë fund konfliktit të gjatë me dekada me Partinë militante të Punëtorëve të Kurdistanit, ose PKK-në, është pjesë e strategjisë për të fituar mbështetjen e një partie pro-kurde në parlament për statutin e ri.
Përpjekja për të futur një kushtetutë të re vjen disa muaj pasi Ekrem Imamoglu, kryebashkiaku popullor i Stambollit dhe rivali kryesor i Erdoganit është arrestuar dhe është burgosur me akuza për korrupsion.
Arrestimi i tij është parë gjerësisht si i motivuar politikisht edhe pse qeveria këmbëngul se gjyqësori i Turqisë është i pavarur dhe pa ndikim politik.
Arrestimi dhe më pas burgosja ka shkaktuar demonstrata të gjera që bënin thirrje për lirimin e tij dhe për t'i dhënë fund rrëshqitjes demokratike të Turqisë nën Erdoganin.