Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Dy të vdekur e dhjetëra të lënduar nga tërmeti me magnitudë 6.4 në Kaliforni

Dy persona kanë vdekur si pasojë e tërmetit me magnitudë 6.4 që goditi të martën Kaliforninë, me ç’rast edhe dhjetëra persona të tjerë mbetën të lënduar, raportoi të mërkurën Reuters.

Nga ky tërmet i fuqishëm pati edhe dëme të konsiderueshme materiale. U shkatërruan disa shtëpi dhe rrugë, e me probleme u përballën edhe linjat e shërbimeve, teksa mijëra banorë mbetën pa ujë dhe energji elektrike.

Lëkundja e cila goditi Kaliforninë në orën 2:30 të mëngjesit dhe u pasua nga rreth 80 pasgoditje, kishte epiqendrën 215 milje (350 km) në veri të San Franciskos në det të hapur.

Guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom, shpalli gjendje të jashtëzakonshme të martën në zonën pranë ku ka goditur tërmeti, për të mbështetur reagimin emergjent ndaj tërmetit.

Sipas një deklarate, Newsom ka udhëzuar agjencitë dhe departamentet shtetërore që të ndërmarrin veprimet e duhura sipas nevojës për të ofruar mbështetje për komunitetet lokale.