Një videoxhirim i transmetuar të hënën vonë ka shfaqur pamjet e 26-vjeçarit Roman Protashevich – i cili ishte tërhequr nga aeroplani pasi që Bjellorusia angazhoi një aeroplan luftarak për ta shoqëruar atë në Minsk të dielën – tek pranon se kishte organizuar demonstratat antiqeveritare në vend. Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka thënë se videoja përbën “shqetësim”, ndërsa uljen e detyrueshme të avionit e përshkroi si një “akt të pashembullt dhe të papranueshëm”
Aviokompanitë më të mëdha evropiane kanë ndryshuar rutën e fluturimeve të martën për të shmangur hapësirën ajrore të Bjellorusisë derisa aeroplanët bjellorusë janë përballur me ndalesa të mundshme nga Evropa, kurse zemërimi ndërkombëtar është akumuluar ndaj Minskut sherri i uljes së detyrueshme të avionit civil dhe arrestimit të gazetarit disident në bord.
Vendet perëndimore kanë akuzuar Bjellorusinë për rrëmbim dhe pirateri rreth uljes së aeroplanit të “Ryanairit”, teksa po kalonte mbi qiejt e shtetit në fluturimin nga Greqia në Lituani, ndërsa diplomatët kanë thënë se Franca, Irlanda dhe Estonia do ta ngrenë çështjen gjatë një takimi privat të mërkurën të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
“Sjellja e regjimit bjellorus është fyes, e paligjshme dhe krejtësisht e papranueshme... ne e dënojmë gjithashtu këtë ndërhyrje të rrezikshme në aviacionin civil”, ka thënë të martën kryeministri kanadez, Justin Trudeau, ka raportuar Reuters.
Një videoxhirim i transmetuar të hënën vonë ka shfaqur pamjet e 26-vjeçarit Roman Protashevich – i cili ishte tërhequr nga aeroplani pasi që Bjellorusia angazhoi një aeroplan luftarak për ta shoqëruar atë në Minsk të dielën – tek pranon se kishte organizuar demonstratat antiqeveritare në vend.
Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka thënë se videoja përbën “shqetësim”, ndërsa uljen e detyrueshme të avionit e përshkroi si një “akt të pashembullt dhe të papranueshëm”. Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas, ka thënë se presidenti bjellorus, Alexander Lukashenko, duhet që ta paguajë një “çmim të hidhur” për arrestimin e Protasevichit.
Edhe
Lukashenko akuzon gazetarin e kapur për “rebelim të përgjakshëm”
Ndërkaq liderja opozitare në ekzil, Sviatlana Tsikhanovskaya, ka thënë se pamjet e gazetarit dëshmojnë se ai është torturuar.
“Ka thënë se është trajtuar në përputhje me ligjet, ama qartazi është rrahur dhe është nën presion. Nuk ka dyshim se është torturuar. Është marrë peng”, ka thënë ajo gjatë një konference për media nga kryeqyteti lituan, Vilnius.
Autoritetet në Minsk nuk u janë përgjigjur pretendimeve rreth torturimit, por kanë mohuar vazhdimisht abuzimin me të burgosurit. Grupet e të drejtave të njeriut kanë dokumentuar me qindra raste të asaj që e kanë përshkruar si abuzim dhe pranim të detyrueshëm të fajësisë gjatë shtypjes së kundërshtarëve pro-demokraci të Lukashenkos, që prej vitit të shkuar.
Lukashenko, të cilin kundërshtarët e akuzojnë për manipulimin e zgjedhjeve të gushtit të 2020-s, deri më tani nuk është deklaruar lidhur me sanksionet perëndimore, të cilat vazhdimisht ia ndalojnë zyrtarëve të tij udhëtimin apo bizneset në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në BE. Ai e gëzon mbështetjen financiare dhe të sigurisë nga Rusia.
Shtëpia e Bardhë ka njoftuar se presidenti Joe Biden do të diskutojë lidhur me incidentin me presidentin rus, Vladimir Putin, gjatë samitit të tyre të muajit të ardhshëm, por ka shtuar se SHBA-ja nuk beson se Moska ka pasur ndonjë rol në rastin e së dielës.
Edhe
SHBA-ja akuzon katër zyrtarë të Bjellorusisë për pirateri të avionëve
Mediat shtetërore bjelloruse kanë raportuar se Lukashenko ka urdhëruar personalisht uljen e aeroplanit. Autoritetet kanë thënë se po i përgjigjeshin një alarmi për bombë, i cili më pas është demonstruar të ketë qenë i rremë.
Karshi këtij veprimi të cilësuar si “terrorizëm dhe pirateri shtetërore” të Bjellorusisë agjencia e kontrollimit të trafikut ajror në Evropë, Eurocontrol, ka rekomanduar se kompanitë ajrore të BE-së dhe Britanisë së Madhe të anashkalojnë qiejt e vendit në fluturimet drejt shteteve baltike. Ndërkaq ua ka ndaluar ardhjen edhe aeroplanëve nga Bjellorusia.
Shefi i Këshillit të BE-së dhe udhëheqësi i samiteve të bllokut, Charles Michel, ka shkruar “Evropa në veprim” në një postim në Twitter të shoqëruar me fotografinë e hartës së gjurmimit të fluturimeve në kontinent që e shpërfaqte anashkalimin e Bjellorusisë.
Në samitin e së hënës liderët kanë urdhëruar gjithashtu vendosjen e sanksioneve të reja, të paspecifikuara ndaj Bjellorusisë dhe gjetjen e mënyrës për ndalimin e aviokompanive bjelloruse nga qiejt e bllokut.
Edhe
Perëndimi godet Bjellorusinë me sanksione shtesë për “pirateri”
Iniciativës i është bashkuar edhe Ukraina fqinje e Bjellorusisë, e cila ka njoftuar për ndalimin e fluturimeve nga vendi dhe rreth tij.
“Nëse e lëmë këtë punë të kalojë, nesër Alexander Lukashenko do të shkojë edhe më larg dhe të bëjë diçka edhe më arrogante, më mizore”, ka thënë ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba. \ AP-Reuters