Me anë të kombinimit të masave ndëshkuese të miratuara të hënën, ku përfshihen ndalesat e udhëtimit, ngrirja e pronave dhe sanksionet ndaj kompanive shtetërore bjelloruse, qeveritë perëndimore janë zotuar që ta rrisin presionin e tyre ndaj presidentit bjellorus, Aleksandar Lukashenkos, i cili akuzohet për manipulimin e zgjedhjeve të gushtit të shkuar dhe për shtypjen e opozitës për zgjatjen e pushtetit të tij, tanimë 27-vjeçar
Fuqitë perëndimore kanë goditur të hënën Bjellorusinë me një valë të re sanksionesh, në kuadër të përgjigjes së koordinuar shkaku i aterrimit të detyrueshëm të një aeroplani të “Ryanarit” nga ana e Minskut muajin e shkuar për arrestimin e një gazetari në bord, në aktin që kishte nxitur sanksione të mëtutjeshme ekonomike ndaj vendit.
Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe dhe Kanadaja kanë përfshirë në listat e tyre të zeza numër më të madh zyrtarësh, ligjvënësish dhe ministrash të administratës së presidentit Alexander Lukashenko, një aeroplan i forcave ajrore të të cilit kishte shtrënguar më 23 maj uljen e detyrueshme të aeroplanit të “Ryanairit” që fluturonte midis Athinës dhe Vilniusit, në atë që nga Perëndimi ishte quajtur pirateri shtetërore.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Jemi të bashkuar në shqetësimin tonë të thellë për sa u përket sulmeve të vazhdueshme të regjimit të Lukashenkos ndaj të drejtave të njeriut, lirive themelore dhe së drejtës ndërkombëtare”, thuhet në një deklaratë të përbashkët të BE-së, SHBA-së, Britanisë së Madhe dhe Kanadasë. “Jemi të bashkuar në thirrjen adresuar regjimit për përfundimin e praktikave shtypëse ndaj vetë popullit të tij”.
Në përzierjen e së hënës të ndalesave të udhëtimit, ngrirjes së pronave dhe sanksioneve ndaj kompanive shtetërore bjelloruse, qeveritë perëndimore janë zotuar që ta rrisin presionin e tyre ndaj Lukashenkos, i cili akuzohet për manipulim të zgjedhjeve gushtin e shkuar dhe për shtypjen e opozitës për zgjatjen e pushtetit të tij, tanimë 27-vjeçar.
Vetë Lukashenko ende nuk u është përgjigjur masave. Ai më herët kishte refuzuar manipulimin e votave, kishte akuzuar gazetarin e arrestuar Roman Protasevich për nxitje të revolucionit dhe i është kthyer përherë e më shumë Rusisë për mbështetje.
BE-ja ka përfshirë afaristin rus, Mikhail Gutseriyev, investuesin e vetëm më të madh të huaj në Bjellorusi, në listën e sanksioneve të saja. Veprimi mund t’i forcojë edhe më shumë marrëdhëniet e vendit me Moskën, e cila e akuzon Evropën për ndërhyrje në çështjet e saj të brendshme.
Sanksionet më të fundit që nga zgjedhjet e kontestuara të vitit të shkuar e ngrenë në 166 numrin e ligjvënësve, zyrtarëve, gjykatësve dhe komandantëve ushtarakë bjellorusë të ndëshkuar nga blloku. Në këtë mes përfshihen edhe 78 syresh që janë sanksionuar të hënën.
Shtetet e Bashkuara kanë bërë të ditur se kanë vënë në shënjestër personat në pozitat më të larta në Qeverinë Lukashenko, përfshirë ministrin e Brendshëm dhe ministrin e Informimit. BE-ja ka sanksionuar ministrin e Mbrojtjes, Viktor Khrenin, ministrin e Transportit dhe komandantin e Forcave Ajrore, si dhe disa gjykatës, ligjvënës dhe zyrtarë.
Sanksionet britanike kanë përfshirë masat ndaj kompanisë BNK të regjistruar në Londër, e cila kishte negociuar kontratat për eksportimin e produkteve bjelloruse të naftës.
Presidenti amerikan, Joe Biden, bashkë me liderët e tjerë perëndimorë, ka dënuar aterrimin e detyrueshëm të aeroplanit dhe ka udhëzuar këshilltarët që t’i mbajnë përgjegjës kryerësit e veprimit.
Sekretari i Jashtëm britanik, Dominic Raab, ka akuzuar Lukashenkon për “hilenë e turpshme” të arrestimit të gazetarit disident bashkë me të dashurën e tij studente.
Ndërkaq, liderja opozitare në ekzil, Sviatlana Tsikhanouskaya, është takuar me ministrat e Jashtëm të BE-së për bisedimet e mëngjesit në Luksemburg, para se t’u adresohet gazetarëve në Bruksel. Ajo ka bërë thirrje për përpjekje më të mëdha perëndimore rreth ndëshkimit të Lukashenkos dhe për detyrimin e tij që ta pranojë mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe fer.
“Lukashenko është duke e përshkallëzuar dhunën e tij ndaj personave që po luftojnë kundër tij, porse njerëzit nuk po heqin dorë”, ka thënë ajo.