Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Bjellorusia mbështetet te Rusia në kohë krizash

Në fillim të fjalimit të tij në resorin Sochi të Detit të Zi ku ishte edhe Putini, Lukashenko u ankua për sanksionet e BE-së, duke i përshkruar ato si përpjekje për t’i ringjallur protestat e opozitës që nisën me rizgjedhjen e tij në gusht

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, të premten e mirëpriti ngrohtësisht homologun e tij nga Bjellorusia, për bisedime lidhur me marrëdhëniet të ngushta krahas përplasjes me Bashkimin Evropian rreth devijimit të një avioni me udhëtarë për të arrestuar një gazetar disident.

Presidenti bjellorus, Aleksander Lukashenko, e ka gjetur veten gjithnjë e më të izoluar që kur kontrolluesit e fluturimit i thanë ekuipazhit të avionit të Ryanarit, të ulej të dielën në Minsk, nën pretendimet për pajisje shpërthyese. Asnjë bombë nuk është gjetur, por gazetari 26-vjeçar Raman Pratasevich ishte arrestuar bashkë me të dashurën e tij ruse.
Liderët e BE-së denoncuan atë si “pirateri ajrore” dhe u kundërpërgjigjën duke ndaluar aeroplanët bjellorusë prej hapësirës ajrore të bllokut dhe këshilluan linjat evropiane ajrore të mos kalonin nëpër Bjellorusi. Ministrat e jashtëm të BE-së, të enjten, skicuan sanksione më të ashpra për të synuar industrinë e mineraleve dhe sektorët e tjerë fitimprurës.

Në fillim të fjalimit të tij në resorin Sochi të Detit të Zi ku ishte edhe Putini, Lukashenko u ankua për sanksionet e BE-së, duke i përshkruar ato si përpjekje për t’i ringjallur protestat e opozitës që nisën me rizgjedhjen e tij në gusht. Rezultati i zgjedhjeve nuk ishte pranuar nga opozita dhe populli i cilësoi si të manipuluara.

“Është një përpjekje për ta destabilizuar situatën si në gushtin e kaluar”, tha ai.
Putini u pa i relaksuar dhe ftoi Lukashenkon për not, gjersa lideri bjellorus dukej i tensionuar përderisa akuzonte Perëndimin për hipokrizi dhe pabesi.

Në një fjalim emocional, lideri 66-vjeçar bjellorus dënoi sanksionet e BE-së kundër Belavia, linjës ajrore bjelloruse, duke theksuar rolin e saj si transportuese e “mijëra e mijëra”, udhëtarëve prej shteteve të BE-së dhe SHBA-së, të cilët ishin bllokuar që nga fillimi i pandemisë.

“Ata e kanë dënuar stafin e Belavias, të cilët kanë ndihmuar të evakuojnë mijëra njerëz të tyre”, deklaroi Lukashenko. “Çfarë neverie”, shtoi ai.

Putini pajtohej, duke theksuar se në incidentin e 2013-s, në të cilin një aeroplan privat barte presidentin e Bolivisë, Evo Morales, zbarkoi pasi që disa vende evropiane refuzuan ta lejojnë të kalojë në pjesën e tyre ajrore, gjoja se Edward Snowden, i cili zbuloi informata sekrete të Qeverisë së SHBA-së, ishte në aeroplan.
Zyrtarët austriakë dhe bolivianë nuk u pajtuan që aeroplani të kontrollohej kur zbarkoi pasi rifilloi udhëtimin e tij.

“Aeroplani i presidentit të Bolivisë u detyrua të zbarkojë, presidenti u hoq nga aeroplani dhe gjithçka ishte në rregull, askush nuk foli”, tha Putini me një nënqeshje.

Edward Snowden, ish-agjent i Agjencisë Kombëtare të Sigurisë, i cili zbuloi informacione sekrete të Qeverisë, përfundoi në Rusi, ku iu ofrua azil në mënyrë që t’i ikte persekutimit.

Spektakli për devijimin e Ryanair-it e ka shtyrë Lukashenkon, i cili pa pushim e ka “mbytur” disidencën gjatë pushtetit të tij për më shume se një çerek shekulli, tashmë edhe më afër aleatit dhe sponsorit, Rusisë.

Image
Marrëdhëniet e Bjellorusisë me Bashkimin Evropian u përkeqësuan në javën e fundit të muajit maj, kur ish-shteti sovjetik ndaloi një aeroplan në të cilin ndodhej një gazetar i kërkuar nga regjimi bjellorus

Lidhja e fortë

Dy ish-shtetet sovjetike kanë nënshkruar një marrëveshje të përbashkët që bën thirrje për lidhje të politikave ekonomike dhe ushtarake, por ndalet pak para një bashkimi të plotë. Rusia e ka përkrahur ekonominë bjelloruse me hua të lirë të furnizimit të energjisë, por lidhjet shpesh ishin të tendosura me Lukashenkon, i cili qortonte Moskën që mundohej ta detyronte atë të heqë dorë nga kontrolli i aseteve të pasura ekonomike dhe eventualisht ta braktiste pavarësinë e shtetit të tij.
Të premten, në fillim të fjalës së tij, Putini tha se shtetet kanë filluar ta thellojnë unionin e tyre “në mënyrë konsistente, pa u ngutur, duke vepruar hap pas hapi”.

Në të kaluarën, Lukashenko është munduar ta vërë në lojë Perëndimin kundër Rusisë, duke rritur mundësinë e afrimit me BE-në dhe SHBA-në, për të tërhequr më shumë ndihma nga Moska.

Këso lloj taktikash nuk funksionuan, por më pas ndodhën të papriturat e vitit të kaluar për Lukashenkon. Më shumë se 35 mijë njerëz ishin të arrestuar në mes të protestuesve dhe mijëra të rrahur, lëvizje që e bën njeri të rrezikshëm në Perëndim. Devijimi i fluturimit e zuri ngushtë më shumë se kurrë liderin bjellorus.

Lukashenko, një ish-drejtor i fermës shtetërore sovjetike, i dha fund paraqitjes së liderëve para kamerave në Sochi, duke thënë, “Nuk ka peshë që bolshevikët nuk mund ta shkatërrojnë!”, një thënie prej një filmi të kohës sovjetike. Deklarata udhëhoqi një buzëqeshje të sforcuar të Putinit.

Kushtet e BE-së

Shumë vëzhgues paralajmërojnë që sanksione të reja më të rënda të BE-së, do ta bënin Lukashenkon pre të lehtë për Kremlinin, që mund ta shfrytëzojë izolimin për integrime më të afërta. Në Perëndim disa pretendojnë që Rusia ishte e përfshirë në devijimin e Ryanair-it, diçka që Moska e mohon me nervozizëm dhe kërkon që të shikohen pasojat.
“Lukashenko është i frikësuar dhe Kremlini mund të kërkojë pagesa për përkrahje politike, duke shtyrë për futjen e një monedhe të vetme, si dhe vendosjen e bazave ushtarake dhe më shumë”, tha Valery Karbalevich, analist i pavarur politik me bazë në Minsk. “Në këtë situatë, do të jetë shumë më e vështirë për të të rezistojë dhe të bëjë pazare me Putinin”.

Sviatlana Tsikhanouskaya, kundërshtarja kryesore në zgjedhje, e cila braktisi vendin nën presionin zyrtar të shtetit, po ashtu pranoi rrezikun që Rusia ta shfrytëzojë dobësinë në avantazhin e saj. Ajo nxiti BE-në të bëhet “më e fortë, më trime në vendime”, duke thënë se Lukashenko veproi nga ndjenja e mosndëshkueshmërisë në devijimin e fluturimit.

Komisioni Evropian, të premten, prezantoi planin ndihmës prej 3 miliardë eurosh për të përkrahur të ardhmen demokratike të Bjellorusisë. Kjo ndihmë mund të aktivizohet nëse shteti nis “transicionin demokratik”.

Por, në shenjat e mëtejme të izolimit të Bjellorusisë, EBU me bazë në Gjenevë të premten suspendoi televizionin shtetëror të Bjellorusisë, BTRC, duke thënë se ishin të shqetësuar për intervistat e dhëna nën detyrim. BTRC-ja ka dy javë që të përgjigjet para se suspendimi të marrë efekt. Kjo lëvizje ndër të tjera do t’ia pamundësojë Bjellorusisë pjesëmarrjen në “Eurovision”.

Moska i ka ofruar Lukashenkos mbështetje të shpejtë për devijimin e aeroplanit, duke paralajmëruar BE-në kundër veprimeve të shpejta, derisa ngjarja të hetohet mirë dhe argumentoi se veprimet e Lukashenkos ishin në një linjë me protokollet ndërkombëtare në raste të rreziqeve me bomba.

Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme, Maria Zakharova, tha se vendimi i BE-së për kërkimin e linjave ajrore evropiane që të shmangin linjën ajrore të Bjellorusisë si “shumë të papërgjegjshme dhe rrezikim të sigurisë së udhëtarëve”.

Dimitry Polyansky, i dërguar i Rusisë në Kombet e Bashkuara, të premten kritikoi Perëndimin, për siç e quajti përgjigje e nxituar dhe mbrojti narrativen bjelloruse, duke argumentuar që kontrolluesit e fluturimit vetëm “rekomanduan” që avioni të ulej në Minsk për pretendimin e rrezikut, dhe piloti ka mundur të vazhdojë nëse ka dashur.

“Për të thënë nga fillimi që kjo është një ulje e detyruar, të dënosh dhe të vendosësh sanksione pa asnjë hetim - kjo mënyrë e sjelljes është absolutisht e papërgjegjshme”, tha ai në konferencën e lajmeve.

Organizata Ndërkombëtare e Aviacionit Civil, tha ai, do të hetojë devijimin, ashtu siç kanë kërkuar shumë vende perëndimore.

Ndërsa linjat ajrore evropiane filluan ta injorojnë Bjellorusinë, qe dy ditë Rusia ka refuzuar disa nga kërkesat e tyre që t’i ndërrojnë rrugët e udhëtimit për në Moskë, por ka lejuar disa fluturime të vazhdojnë të premten. Kremlini tha që ndalesa e lejeve të shpejta për të përdorur rrugët ishte teknike, por Lukashenko e përshëndeti atë si një shenjë ndihme për Bjellorusinë.

Përktheu: Lulzim Gajtani
 

Artikuj të ngjashëm