Një ciklon i fuqishëm ka goditur bregun e Bangladeshit dhe Birmanisë, pasi ka rritur intensitetin duke arritur atë të një stuhie të kategorisë së pestë, raporton BBC.
Cikloni “Mocha” është duke sjellë rrebesh shiu dhe po ashtu erëra të fuqishme deri 195 kilometra në orë. Ka pasur vërshime të rrezikshme në tokën rreth Gjirit të Bengalit.
Ka frikë se stuhia do të godas kampin më të madh të refugjatëve në botë, Cox Bazarin, ku jetojnë afro 1 milion persona.
Ekspertët paralajmërojnë se “Mocha” mund të jetë stuhia më e fuqishme që ka parë Bangladeshi në afro dy dekada.
Rreth 500 mijë persona janë evakuuar në zona më të sigurta.
Shumë nga strehët e vendosura në shkolla dhe manastire në Cox Bazar janë mbushur tashmë. Policia ka kaluar shumë kohë të shtunën duke paralajmëruar njerëzit që të strehohen dhe të evitojnë zonat rreth ujërave. Qeveria ka lëshuar edhe paralajmërim për rrëshqitje të mundshme toke.