Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Së paku 145 të vdekur në Birmani shkaku i ciklonit Mocha

Së paku 145 persona kanë vdekur nga cikloni i fuqishëm që ka goditur Birmaninë në tri ditët e fundit. Autoritetet kanë bërë të ditur se 117 anëtarë të minoritetit mysliman Rohingya kanë vdekur nga cikloni Mocha, shkruan AP. 

Rajoni perëndimor i Birmanisë është goditur më së shumti nga cikloni. Autoritetet kanë paralajmëruar se numri i të vdekurve mund të jetë edhe më i lartë për shkak të vështirësive në komunikim me zonat e goditura nga cikloni i fuqishëm.

Të premten, të mbijetuarit në shtetin Rakhine kanë vazhduar të zhbllokojnë rrugët dhe të ndihmojnë në kthimin e energjisë elektrike. Gjërat janë vështirësuar edhe nga kontrolli i rreptë i informacioneve nga qeveria ushtarake. Kjo qeveri ka mohuar raportimet se numri i të vdekurve ka arritur në 400, mirëpo nuk ka nuk ka ofruar shifra të sakta të viktimave nga cikloni Mocha.

Kjo stuhi ka goditur Birmaninë me erëra deri në 210 kilometra në orë. Cikloni, katastrofa më e rëndë në 10 vjetët e fundit në Birmani, ka shkaktuar përmbytje të mëdha në disa pjesë të shtetit.