Numri i grave ukrainase si ushtare është rritur gjatë tërë periudhës së luftës. BBC-ja foli me tri nga 5 mijë ushtaret që janë në vijën e parë të frontit, që po luftojnë si me armikun ashtu edhe me qëndrimet seksiste brenda radhëve të tyre
(BBC) - Një grua hollake, me sy të kaltër dhe zeshkane është duke ushtruar në një palestër. Ndoshta nuk do të binte në sy, po të mos ekzistonte fakti se, sipas mediave ruse - ajo ka vdekur.
Andriana Arekhta është rreshtere e njësisë speciale në forcat e armatosura të Ukrainës, dhe po përgatitet që të kthehet në vijën e frontit.
BBC-ja e takoi Andrianan në një qendër rehabilitimi në Ukrainë - në një vend që nuk mund të bëhet publik për shkak të sigurisë së saj - pasi ajo u plagos nga një minë tokësore në rajonin Kherson në muajin dhjetor.
Raporte të shumta me tekst dhe video në rusisht kanë shpallur “vdekjen” e saj në detaje grafike.
“E kanë publikuar se jam pa këmbë dhe pa duar dhe se jam vrarë prej tyre”, thotë Andriana. “Ata janë profesionistë të propagandës”.
Raportet përfshijnë përshkrime të turbullta të saj si “ekzekutuese” dhe si “naziste e eliminuar”. Ata e akuzuan atë për mizori dhe sadizëm, pa asnjë provë, menjëherë pasi ushtria ukrainase kishte çliruar Khersonin.
“Për mua është qesharake. Unë jam gjallë dhe do ta mbroj vendin tim”, thotë ajo.
Tetëmbëdhjetë muaj pas pushtimit të Rusisë, janë 60 mijë gra që shërbejnë në forcat e armatosura të vendit. Më shumë se 42 mijë janë në pozicione ushtarake - duke përfshirë 5 mijë gra në vijën e frontit – ka njoftuar Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës. Duhet shtuar këtu edhe faktin se asnjë grua nuk mund të rekrutohej kundër vullnetit të saj, sipas ligjit ukrainas.
Roli i grave në ushtri
Por ka role të veçanta luftarake që disa besojnë se i kryejnë më mirë gratë.
“Unë shkova te komandanti im dhe e pyeta: ‘Çfarë mund të bëj më mirë?’ Ai tha, ‘Ti do të bëhesh snajpere’”, e kujton Evgeniya Emerald - e cila e mbante rolin kryesor në vijën e parë të frontit.
Ajo thotë se snajperet gra janë romantizuar që nga Lufta e Dytë Botërore, duke shtuar se ka një arsye shumë praktike për këtë reputacion.
“Nëse një burrë heziton të gjuajë, një grua nuk do të hezitojë kurrë”, thotë ajo. “Ndoshta kjo është arsyeja pse gratë janë ato që lindin fëmijë, e jo burrat”, shton ajo - duke përqafuar vajzën e saj tremuajshe.
31-vjeçarja, e cila ishte trajnuar pas pushtimit të Krimesë nga Rusia, por u bashkua me ushtrinë vetëm në vitin 2022, ishte pronare e një biznesi bizhuterish përpara luftës në shkallë të gjerë.
Ajo ka përdorur përvojën e saj si sipërmarrëse për të krijuar ndjekës të shumtë në mediat sociale e për të rritur kështu profilin e ushtareve ukrainase.
Ashtu si Andriana, edhe Evgeniya është përmendur gjerësisht si “ndëshkuese” dhe “naziste” nga mediat ruse, në qindra raporte që diskutojnë rolin e saj në vijën e parë të frontit si snajpere gra, si dhe për jetën e saj private.
Të shërbesh si snajpere është brutale - thotë Evgeniya - si fizikisht ashtu edhe mendërisht.
“Sepse ju mund të shihni se çfarë po ndodh. Ju mund të shihni në detaje goditjen e objektivit. Ky është një ferr personal për këdo që është snajper”.
Evgeniya, dhe gratë e tjera të vijës së parë të frontit, me të cilat kemi folur, nuk mund të zbulojnë numrin e objektivave që kanë goditur. Por Evgeniya kujton emocionin e shtuar që ndjeu, kur kuptoi se ndoshta do t’i duhej të vriste dikë.
“Për 30 sekonda po dridhesha - gjithë trupi im dridhej - dhe nuk mund ta ndaloja. E kuptova se tani do të bëj diçka që do të jetë një rrugë pa kthim”.
“Por ne nuk filluam luftën, ata erdhën tek ne”.
Përfshirja e grave në ushtri
Përqindja e grave në ushtrinë ukrainase është rritur që nga pushtimi i parë rus në vitin 2014, duke arritur në mbi 15% në 2020-n. Por derisa shumë ushtare po shërbejnë në role luftarake kundër Rusisë, ato thonë se ka një betejë shtesë brenda radhëve të tyre kundër qëndrimeve seksiste.
Evgeniya thotë se ajo u përball me këtë përpara se të krijonte autoritetin dhe besimin e saj si një snajpere e vijës së parë të frontit.
“Kur u bashkova në fillim me forcat speciale, një nga luftëtarët erdhi tek unë dhe më tha: ‘Vajzë çfarë po bën këtu? Shko dhe gatuaj borshch [supë tradicionale ukrainase]’. U ndjeva aq e ofenduar në atë moment sa mendova, ‘A po tallesh me mua? Mund të jem në kuzhinë, por mund të të nokautoj edhe ty’”.
Një tjetër grua e quajtur Evgeniya, Evgeniya Velyka, e shoqatës bamirëse “Arm Women Now” - e cila ofron ndihmë për ushtaret ukrainase, pajtohet me këtë: “Në shoqëri ekziston një mendim i fortë se vajzat shkojnë në ushtri për të gjetur burrë”.
Ajo thotë se gratë i kanë treguar edhe për raste të abuzimit fizik. “Ne nuk mund ta imagjinojmë shkallën e problemit, sepse jo çdo ushtare dëshiron të flasë për këtë”, thotë ajo.
Zëvendësministrja e Mbrojtjes e Ukrainës, Hanna Malyar, i tha BBC-së se këto ishin vetëm “pak raste” në kontrast me “qindra mijëra” të mobilizuar.
Gratë në ushtrinë ukrainase nuk kanë uniforma të përshtatshme për gjininë. Ato janë të pajisura me veshje të papërshtatshme, për burra, duke përfshirë të brendshme për burra, këpucë të mëdha dhe jelek antiplumb.
Edhe zëvendësministrja e mbrojtjes, Hanna Maylar, thotë se uniforma e saj në terren është projektuar për një burrë - të cilën i është dashur ta ndryshojë pasi është më e shkurtër. Ajo shton se uniforma ceremoniale përfshin këpucë me taka.
Nëse gratë në ushtri dëshirojnë të veshin veshje për gra, ato në fakt duhet t’i blejnë vetë ato në internet, ose të mbështeten në shoqata bamirëse ose financime të tjera.
Kjo është arsyeja pse Andriana bashkëthemeloi një shoqatë bamirësie të quajtur “Veteranka” [Lëvizja e Grave Veterane të Ukrainës], e cila bën fushatë për të drejta të barabarta për personelin ushtarak gra dhe për reformimin e legjislacionit të ushtrisë ukrainase për ta sjellë atë në përputhje me atë të NATO-s.
Por Malyar thotë se qeveria ka bërë përparim. Një uniformë për gratë është krijuar, testuar dhe do të hyjë në prodhim masiv në të ardhmen e afërt - megjithëse ajo nuk mund të specifikonte se kur.
“Lufta nuk ka gjini”
Snajperja Evgenya Emerald thotë se pavarësisht çështjeve të tilla, “lufta nuk ka gjini”. “Një luftë nuk ka rëndësi nëse je burrë apo grua. Kur një raketë godet një shtëpi, nuk i intereson nëse ka gra, burra, fëmijë - të gjithë vdesin”.
“Dhe është e njëjta gjë në vijën e parë - nëse mund të jesh efektive dhe je grua, pse nuk do ta mbronit vendin tuaj, popullin tuaj?”, shton ajo.
Në rajonin lindor të Donbasit, snajperja Iryna është e përfshirë në kundërofensivë. Ne siguruam një lidhje të shkurtër me të, gjatë një momenti armëpushimi në fushën e betejës.
Ajo mund të konsiderohet si shembull i reformave për të cilat shumë gra luftarake kanë punuar shumë - ajo po vepron si një komandante grua e një njësie që përfshin vetëm burra.
“Imazhi i një snajperi është romantizuar ... dhe është i bukur për shkak të filmave. Në realitet, është punë e vështirë”.
Ajo përshkruan se si snajperët u detyruan të qëndronte shtrirë në tokë deri në gjashtë orë për të gjuajtur në cak, e ndjekur kjo edhe nga ndryshimet e shpejta në pozicion. “Është si të luash me vdekjen”, shton ajo.
Mijëra gra që shërbejnë në ushtri kanë lënë pas karrierën, si dhe familjet e tyre.
Andriana kishte lënë punën e saj si konsulente e OKB-së për Barazinë Gjinore nën Ministrinë e Çështjeve të Veteranëve të Ukrainës për t’iu bashkuar ushtrisë ukrainase kur Rusia e pushtoi vitin e kaluar.
“Më morën vitet më të mira të jetës”, thotë 35-vjeçarja.
Nënë e një djali në shkollë fillore, Andriana me lot thotë se nuk e ka takuar djalin e saj për më shumë se shtatë muaj. Teksa më tregon fotot e tij në telefonin e saj, në fytyrën i shfaqet një buzëqeshje, që ia zëvendëson lotët.
Ajo është e motivuar nga dëshira për t’i siguruar atij një të ardhme paqësore në vendin e tij të lindjes - duke mos pasur nevojë të rrezikojë jetën e tij duke luftuar si prindërit e tij.
“Kam humbur shumë miq”
Ndryshe nga Evgeniya Emerald, e cila u bashkua pas pushtimit të plotë të Rusisë vitin e kaluar, Andriana ka përvojë të mëparshme ushtarake.
Në vitin 2014, kur Rusia sulmoi për herë të parë Ukrainën, duke aneksuar Krimenë dhe duke pushtuar Donbasin, ajo la punën e saj si menaxhere dhe iu bashkua një prej batalioneve të para vullnetare - së bashku me mijëra ukrainas të tjerë. Në atë kohë, ushtria ishte më e vogël se tani dhe ishte në vështirësi.
Batalioni Aidar, ku Andriana po shërbente, u akuzua nga Kremlini dhe Amnesty International për shkelje të të drejtave të njeriut - por ushtria ukrainase i tha BBC-së se nuk ishte ofruar asnjë provë thelbësore për të mbështetur pretendime të tilla.
Amnesty u kërkoi gjithashtu autoriteteve ukrainase që të fusnin batalionet vullnetare nën linjat efektive të komandës dhe kontrollit, gjë që ata e bënë.
Pavarësisht se Andriana nuk u përfshi kurrë në ndonjë akt të sjelljes së keqe dhe u largua nga Aidar-i tetë vjet më parë, mediat ruse vazhdimisht e kanë akuzuan atë për “sadizëm”, duke mos ofruar asnjë provë.
Në Ukrainë, ajo është shpërblyer me medalje për shërbimin e saj - një “për guximin”, dhe një tjetër si “heroinë e popullit”.
Andriana, e cila i tha BBC-së se nuk është më pjesë e Aidar-it, shtoi se ndihej e detyruar të ribashkohej me ushtrinë në vijën e parë të frontit në vitin 2022, pasi ajo tashmë kishte përvojën e nevojshme luftarake.
Ndonëse Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës tha se nuk mund të jepte numrin e viktimave të luftës për shkak të ndjeshmërisë së informacionit gjatë kohës së luftës, BBC-ja ka marrë të dhëna, që sugjerojnë se 93 ushtare ukrainase janë vrarë në aksion që nga pushtimi rus.
Sipas të dhënave nga organizata bamirëse “Arm Women Now”, mbi 500 prej tyre janë plagosur. Libri i numrave të kontaktit telefonik i Andrianas është kthyer në një listë të të vdekurve. “Kam humbur më shumë se 100 miq. Nuk e di as sa numra telefoni duhet të fshij”.
Por çmimi i paguar tashmë është shumë i lartë për të hequr dorë, thotë ajo - teksa u kthye për të përfunduar stërvitjen e saj rehabilituese në palestër.
Përktheu: Forca Jashari
