Të lindura në një Ukrainë të pavarur, jetët e këtyre grave të reja ndryshuan përgjithmonë kur Rusia pushtoi vendin e tyre, duke i detyruar të mbajnë mbi supe përgjegjësi të mëdha
Ukraina po mbahet gjithnjë e më shumë e bashkuar, pas vijave të frontit ushtarak, nga gratë. Ato në të 30-t - gra të brezit të mijëvjeçarit, të lindura në një Ukrainë të pavarur, të rritura në vështirësi ekonomike dhe të përballura me revolucion e luftë sapo u rritën, po mbajnë mbi supe shumë përgjegjësi. Ato po mbledhin para për ushtrinë, dhe disa prej tyre edhe po shërbejnë në të. Po drejtojnë organizata të shoqërisë civile, po mbrojnë atdheun e tyre jashtë vendit dhe po bëhen aktiviste.
Ndryshe nga burrat e moshës së tyre, të cilët nuk lejohen të largohen nga vendi dhe mund të thirren në ushtri, gratë kanë më shumë zgjedhje - të bashkohen me ushtrinë ose jo; të qëndrojnë në vend ose të ikin jashtë. Për disa, pyetja nëse duhet të kenë fëmijë apo jo, kur lufta nuk duket se do të mbarojë shpejt, është shumë e vështirë. Për shumë të tjera, lodhja, stresi dhe trishtimi janë pjesë e jetës së tyre të përditshme. “The Guardian” foli me gjashtë gra ukrainase të moshës 29 deri në 40 vjeç për jetën e tyre.
“E bën thjesht, sepse është e nevojshme”
Mariia Shuvalova, 32 vjeçe, punon si botuese akademike. Por, ka edhe disa projekte të tjera. Pas nisjes së pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia në shkurt të vitit 2022, ajo mblodhi më shumë se 40.000 dollarë - aq sa kishte paguar për banesën e saj - për të blerë jelekë antiplumbë, duke e kthyer shumën në kriptomonedhë për ta paguar një fabrikë kineze.
Ajo është vullnetare rreth pesë orë në javë në një njësi ushtarake, po e kthen doktoratën e saj në letërsi në një libër, po shkruan një roman postapokaliptik dhe po përdor anglishten e saj të rrjedhshme për ta përfaqësuar Ukrainën jashtë vendit - një përzierje pune me pagesë dhe pa pagesë që është e zakonshme për brezin e saj plot me qëllim dhe energji.
“Nuk ke asnjë arsye profesionale për të bërë gjithë këto gjëra, por thjesht i bën, sepse janë të domosdoshme”, thotë ajo.
Shuvalova ka lindur në vitin 1993, dy vjet pas shpalljes së pavarësisë së Ukrainës. Brezi i saj u rrit mes trazirave politike: kur ajo ishte 20 vjeç, shpërthyen protestat e Maidanit në Kiev në vitin 2013, që e detyruan presidentin prorus, Viktor Janukovich, të largohej nga vendi.
Në të 20-t e saj përjetoi një dekadë lufte që nisi në vitin 2014 dhe u përshkallëzua brutalisht në shkurt 2022 me pushtimin e plotë rus. Sot, bashkëshorti i saj, ashtu si shumë të afërm burra, po shërben në ushtri.
Fëmijëria e saj, në mesin e krizës ekonomike të viteve ’90, ishte “shkollë jete” për punë dhe qëndrueshmëri, thotë ajo. Prindërit e saj kishin vuajtur për të siguruar ushqim dhe për t’u përshtatur me botën e re pas rënies së Bashkimit Sovjetik.
“Gjithmonë kam bërë shumë gjëra, sepse kështu mbijetoje në ekonominë e viteve ’90. Kisha një motër më të vogël dhe e mësoja të lexonte, të ecte. Nuk kishim kurrë pushime apo ditë të lira, sepse pas shkollës punonim në kopsht”.
“Sipas meje, shumica e grave mbi 30 vjeç mësuan që në fëmijëri si të përballojnë stresin, të marrin rreziqe dhe të menaxhojnë disa gjëra njëherësh. Ne ishim shumë mirë të përgatitura për krizë”.
Megjithatë, brezi i ri – i arsimuar, i lindur në një Ukrainë të pavarur, i lidhur me botën përmes internetit dhe që flet mirë anglisht - ka një mënyrë tërësisht tjetër të të menduarit nga prindërit e tyre që u rritën në kohën sovjetike.
Shuvalova vjen nga një familje e madhe. Gjyshja e saj kishte 10 fëmijë dhe ata gjithmonë janë ndihmuar mes tyre për çdo nevojë. Ajo thotë se kjo ndjenjë bashkëpunimi i ndihmoi të vetorganizoheshin dhe të mblidhnin fonde për pajisje ushtarake kur shumë burra të familjes u bashkuan me ushtrinë.
Ndryshe nga burrat e së njëjtës moshë, të cilët zakonisht nuk lejohen të largohen nga vendi, gratë e brezit të mijëvjeçarit mund të zgjedhin nëse duan të qëndrojnë apo të ikin nga Ukraina; ose nëse duan apo jo të bashkohen me ushtrinë. Këto vendime, megjithatë, shpesh shoqërohen me ndjenja të forta faji.
Ky është një brez grash, jeta e të cilave shoqërohet nga dhimbja e humbjes, teksa bashkëmoshatarët e tyre po vriten në front. Organizimi i varrimeve dhe përgatitja e testamentit personal janë bërë pjesë e zakonshme e jetës për shumë gra ukrainase të reja. Nuk ka të dhëna zyrtare mbi numrin e ushtarëve ukrainas të vrarë që nga shkurti i vitit 2022, por në qershor Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare (CSIS) e vlerësoi këtë shifër mes 60.000 dhe 100.000 personash. Projekti “Ukrainian Losses” llogariti se mosha mesatare e vdekjes ishte 38.6 vjeç.
Dhe, këto gra kanë përpara vendime të mëdha për jetën familjare, nëse duan të kenë fëmijë fare: A duhet të lindin gjatë luftës apo të presin një kohë më të qetë? A duhet të rrisin fëmijët në Ukrainë, apo të largohen drejt një vendi më paqësor?
Shuvalova thotë se ka filluar të planifikojë financiarisht për të pasur një fëmijë dhe do të qëndronte në Ukrainë nëse do të mbetej shtatzënë, duke besuar te sistemi shëndetësor i vendit të saj.
Norma e lindjeve është shumë e ulët - 0.9 lindje për grua në vitin 2022 dhe 1 në vitin 2023, sipas të dhënave të Bankës Botërore - gjë që, e kombinuar me emigrimin masiv dhe humbjet e shumta njerëzore në luftë, e ka futur Ukrainën në një krizë demografike.
“Duhet të mbështesësh veten dhe njerëzit që do”
Olena Skyrta, 32 vjeçe, themeloi dhjetë vjet më parë një organizatë që promovon shkencën në Ukrainë. Një pjesë e punës së ekipit të saj të ri, kryesisht me gra, është t’i ndihmojë gratë - veçanërisht ato që janë zhvendosur brenda ose jashtë vendit - të trajnohen dhe të gjejnë punë si programere.
Ashtu si Shuvalova, ajo pa prindërit e saj, që ishin gjeologë, të përballeshin me vështirësi. Gjatë krizës më të rëndë ekonomike, paga shtetërore nuk jepej, dhe dy vjetët e parë të jetës i kaloi në një shtëpi pa banjë.
Sa u përket fëmijëve, ajo e ka shtyrë vendimin për disa vite.
“Nëse vazhdoj të jetoj në Kiev, nuk e kuptoj si mund të jetoj me këto rreziqe. Nuk mund të shkosh në strehimore sa herë bie alarmi - nuk do të flije, nuk do të jetoje, do ta humbisje shëndetin”.
Po nëse pas dy vjetësh Kievi vazhdon të bombardohet dhe ajo ende dëshiron një fëmijë?
“Mendoj se do të ndërronim shtëpi, do të ndërtonim një strehimore dhe do të jetonim aty”.
Ndërsa pi çaj në një zyrë të bardhë e të ndritshme në Kiev, dy javë para se të organizojë një konferencë për shkencë dhe teknologji, ajo thotë se skenarët që dikur dukeshin të paimagjinueshëm, tani janë bërë pjesë e përditshmërisë.
“Kur ka shpërthime gjatë natës dhe në mëngjes duhet të shkosh në punë, miqtë e mi jashtë Ukrainës më pyesin: ‘Si e bën dot këtë?’ Por duhet të mbështesësh veten dhe njerëzit që do, dhe ndien përgjegjësi”.
“Aktualisht rrimë këtu dhe pimë çaj në një zyrë të bukur, por duhet të kujtojmë se kjo zyrë u bombardua në dhjetor, dhe ne vetëm po e përdorim përkohësisht, sepse zyra jonë u shkatërrua një muaj më parë”.
“Jeta nuk është vetëm lodhje, alarme dhe varrime”
Sasha Dovzhyk, 37 vjeçe, jetoi për një dekadë në Londër. Por, ndjenja e përgjegjësisë qytetare ndaj vendit të saj e bëri të kthehej në vitin 2023. Ajo drejton një organizatë joqeveritare në Lviv, të quajtur “Index”, e cila ndihmon studiues, shkrimtarë dhe artistë ukrainas e ndërkombëtarë të dokumentojnë luftën nga brenda vendit.
Instituti ka staf tërësisht të përbërë nga të rinjtë. Punësimi i të rinjve, thotë ajo, është një mesazh i rëndësishëm, “që ata të kuptojnë se nuk kanë pse të ikin jashtë për të bërë punë krijuese dhe me ndikim, që jeta në Ukrainë nuk është vetëm lodhje, alarme dhe varrime”.
Ajo ndien presionin që shoqëria u vë grave të brezit të saj për të pasur fëmijë.
“E lexoj në rrjete sociale: ‘Nëse je në ushtri, pse nuk po lind fëmijë? Nëse nuk je në ushtri, pse nuk po lind fëmijë? Kush po lind fëmijë? Kombi po vdes. Kombi po gjakoset. Ke një mitër - lind një fëmijë’. E dëgjoj këtë edhe nga miq, edhe nga kolegë… Sigurisht, këto pyetje nuk u bëhen burrave, dhe nëse ata nuk kanë fëmijë, njerëzit ndiejnë keqardhje për ta”.
“Jam e lumtur që mamaja më shtyu pak”
Maria Nazarova, 29 vjeçe, së fundmi u largua nga ushtria, ku kishte shërbyer si mjeke në vijën e frontit, për të pasur fëmijën e saj të parë.
“Nuk mendoj se dikush vendos të ketë fëmijë për arsye demografike”, thotë ajo, ndërsa përkund vogëlushin Yuriy në prehrin e saj. “Nëse shtyn gjithçka, nuk do të krijosh kurrë familje, kështu që jam e lumtur që mamaja më shtyu pak”.
Ideja për të ikur jashtë për sigurinë e fëmijës nuk i pëlqen. Nga ata që ajo njeh dhe kanë ikur, “shumë pak prej tyre kanë bërë një jetë më të mirë jashtë Ukrainës”. “Shumica kanë humbur më shumë se kanë fituar - në karrierë, në zgjedhje jetese, në lumturi”.
Ajo e çon Yuriyn për të parë babanë e tij ushtar në qytetin e Kramatorskut, afër frontit.
“Kam qenë në ushtri dy vjet e gjysmë, dhe kam parë shumë familje të kolegëve tanë burra të shpërbëhen, sepse gratë dhe fëmijët e tyre janë jashtë dhe nuk shihen më. Nuk dua që kjo të ndodhë me familjen time”.
Sa për rreziqet fizike për veten dhe fëmijën, ajo i pranon.
“Në disa zona të Ukrainës, gjasat që të vritesh nga një raketë janë ende të ulëta. Nuk janë kurrë zero, dhe kjo të thyen zemrën, sepse nuk e di kurrë se ku do të godasin, dhe gjithçka është objektiv”.
Jeta nuk është ideale, thotë ajo. 
“Por unë mora vendimin që ne do ta jetojmë këtë jetë jo të përsosur – këtu”.
“Qëllimi është të shpëtojmë fëmijët tanë”
Anna Demydenko, 40 vjeçe, e cila ka shërbyer si mjeke në vijën e frontit pas pushtimit të plotë, mori një vendim tjetër për familjen e saj pas një ngjarjeje që ia ndryshoi jetën. Një raketë ra pranë shkollës së vajzës së saj në vjeshtën e vitit 2022.
“E mbaj mend qartë”, thotë ajo. “Mund të mbaja trupa të pajetë me duar, dhe kjo nuk më trondiste, por ai çast më bëri të ndihesha plotësisht e pambrojtur. Kuptova se nuk mund ta mbroja vajzën time, dhe vendosa ta dërgoja jashtë”.
Vajza e saj, tani 10 vjeç, jeton në Holandë me njërën prej gjysheve të saj.
Por Demydenko vetë qëndroi në Ukrainë, sepse, siç thotë, ka ende shumë punë për të bërë. Në varësen e çelësave të saj është shkruar në gjuhën ukrainase: “E dua këtë vend dhe dua të jetoj këtu”.
“Për mua dhe bashkëshortin tim, gjëja më e rëndësishme është të shpëtojmë fëmijët tanë”, thotë ajo.
“Shumë miq të mi kanë vdekur, dhe tragjedia më e madhe është që nuk lanë pas fëmijë. Gjatë këtyre 11 vjetëve luftë, nuk patën kohë të krijonin familje”.
Demydenko është juriste me profesion dhe për shumë vjet ka punuar për të drejtat e vullnetarëve ushtarakë që morën armët pas vitit 2014; më vonë punoi në Ministrinë e veteranëve. Pas periudhës si mjeke në front, ajo tani punon në një organizatë joqeveritare të quajtur Veteranka, e cila ndihmon gratë veterane të ushtrisë. Zyra e tyre u dëmtua nga një sulm me bombë pak kohë më parë.
Asgjë nga kjo dekadë nuk ishte pjesë e planit të jetës së saj. Para vitit 2013, ajo udhëtonte me biçikletë nëpër Afrikë, dilte me miqtë në Itali dhe nuk mendonte shumë për të ardhmen. Ajo që e ndryshoi drejtimin e jetës së saj ishte revolucioni i Maidanit dhe zemërimi që ndjeu “kur pa policinë duke rrahur studentët”.
Por përqendrimi i vazhdueshëm dhe puna e pandërprerë kanë pasur pasojat e tyre, thotë ajo. 
“Fillova të kisha disa probleme me alkoolin - asgjë serioze, por pija çdo ditë, ndaj kohët e fundit e lashë krejt”.
“Kam kaluar një periudhë të rëndë depresioni. Për dy muaj rresht nuk u çova nga shtrati”.
Ajo e krahason veten dhe miqtë e saj me brezin më të ri, ata në të 20-t. 
“Duhet të mësojmë nga gjenerata e re se si të gjejmë ekuilibrin mes punës dhe jetës personale”.
“Gratë e brezit tonë po lulëzojnë, në një mënyrë të veçantë”
Iryna Gorlach, 35 vjeçe, eksperte për bashkëpunim ndërkombëtar, thotë: “Gratë e brezit të mijëvjeçarit po lulëzojnë në një mënyrë - po udhëheqin komunitete, po bëhen politikane, po drejtojnë organizata, po bëhen aktiviste dhe po përfaqësojnë zërin e Ukrainës në arenën ndërkombëtare. Sepse gratë e arsimuara të këtij brezi flasin anglisht, ndërsa burrat nuk lejohen të udhëtojnë jashtë vendit”.
“Ka gjithnjë e më shumë role që dikur ishin mbajtur nga burra, por tani po i marrin gratë, dhe koha e luftës e thekson edhe më shumë këtë mënyrë jetese të drejtuar nga qëllimi”.
“Por kjo gjithashtu dyfishon, madje trefishon stresin dhe barrën që mbajmë. Mendoj se sfida më e madhe që do të përballin gratë e brezit tonë është ajo e shëndetit mendor dhe emocional”.
Megjithatë, ajo shton: “Është më e lehtë të jesh e lodhur, e rraskapitur, por e përkushtuar këtu në Ukrainë, sesa jashtë. Kam momente kur nuk e di si do ta përballoj më tej, por pastaj kuptoj se ideja e drejtësisë, e vendit dhe e dinjitetit fiton gjithmonë”.