Sekretari i Thesarit të SHBA-së, Scott Bessent, ka thënë të dielën se presioni shtesë ekonomik nga Shtetet e Bashkuara dhe Evropa mund ta shtyjë presidentin rus Vladimir Putin të hyjë në bisedime paqeje me Ukrainën.
"Nëse SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian mund të vendosin më shumë sanksione, tarifa dytësore për vendet që blejnë naftë ruse, ekonomia ruse do të jetë në kolaps të plotë dhe kjo do ta sjellë presidentin Putin në tryezën e bisedimeve”, ka thënë Bessent në emisionin "Meet the Press" të NBC-së.
Bessent ka shtuar se administrata e presidentit Trump është "e përgatitur të rrisë presionin mbi Rusinë".
“Ne kemi nevojë që partnerët tanë evropianë të na ndjekin, sepse nëse SHBA-ja dhe BE-ja e bëjnë këtë së bashku, ne jemi në një garë tani midis sa gjatë mund të durojë ushtria ukrainase dhe sa gjatë mund të durojë ekonomia ruse?”, ka shtuar ai.
Trumpi është frustruar nga pamundësia e tij për të ndaluar luftimet në Ukrainë, pasi fillimisht parashikoi se do të ishte në gjendje ta përfundonte luftën shpejt kur mori detyrën në janar. Ai ka pezulluar sanksionet e reja ndaj Rusisë dhe Kinës, një blerës kryesor i naftës ruse. Por ai ka rritur tarifat për importet amerikane nga India, një tjetër konsumator kryesor i energjisë ruse.