Rezidentët frikësohen se do të humbasin sipërfaqe të mëdha të tokës agrikulturore nga e cila varet mirëqenia e tyre, për shkak të planit të New Delhit zyrtar për të ndërtuar rrugë, hekurudha dhe projekte të tjera.
Malik Haroon është ulur në tokë, në një mëngjes dimri të hershëm në fshatin Daffepora që ndodhet në rajonin e Kashmirit të administruar nga India.
Ai kalon gishtat mbi lëvoren e një peme bajamesh – të cilat janë qindra rreth e rrotull – për të kontrolluar shenjat e sëmundjeve fungale.
“Është në rregull”, tha ai, shumë i lumtur.
Me malet Pir Panjal të mbuluara me borë në prapavijë, toka e Haroonit prej gjysmë hektari, e ushqyer nga lumi Rumshi Nallah në jugun e Pulwamas, është e mbushur me grupe pemësh që prodhojnë 30 tonë molla, banane, rrepa dhe bajame çdo vit.
Megjithatë, vendimi i Qeverisë së Indisë për ta ndërtuar një kolegj në zonën e Pulwamas – që përfshin përafërsisht të gjithë tokën e Malikut – rrezikon ta privojë atë dhe mijëra kultivues të tjerë në tokën e Kashmirit, nga burimi kryesor ekonomik për 4 milionë njerëz që jetojnë në këtë rajon.
“Unë fitoj 11,000 dollarë mesatarisht në vit, për shkak të korrjes së tyre”, ka thënë Haroon, 27-vjeçar për Al Jazeera.
Të ardhurat e kanë ndihmuar familjen e tij 4-anëtarëshe për ta tejkaluar jostabilitetin ekonomik dhe krizën e papunësisë në Kashmirin e administruar nga India që nga viti 2019, kur qeveria e kryeministrit indian Narendra Modi kishte hequr nenin 370 të Kushtetutës indiane, që i garantonte status special shumicës myslimane në rajon.
Statusi në fjalë e kishte lejuar rajonin e kontestuar – po ashtu të pretenduar nga Pakistani – që të miratonte ligjet e veta në shumë çështje përveç se në financa, mbrojtje, politikë të jashtme dhe komunikim. Ligji i mbronte të drejtat e banorëve të rajonit duke i ndaluar të huajt të marrin punë në administratën shtetërore ose të blejnë prona atje.
Përveç heqjes së statusit special, Qeveria e Modit po ashtu e ndau në dy territore të administruara nga qeveria federale – Jammu dhe Kashmir, dhe Ladakh.
Që nga atëherë, qeveria kishte lajmëruar një gamë të gjerë projektesh infrastrukturore, me pretendimin se ato do të sjellin zhvillim ekonomik për rajonin dhe do t’i lidhin banorët me pjesën tjetër të Indisë.
Por banorët dhe kritikët kanë frikë se projektet e propozuara kanë për qëllim të shtrëngojnë kontrollin e qeverisë indiane mbi atë territor, duke ndryshuar strukturën demografike me vendosjen e të huajve dhe duke rritur qasjen në zona përgjatë kufijve të tensionuar të Indisë me armiqtë e saj të përbetuar, Kinën dhe Pakistanin.
Njëri nga projektet që ka shkaktuar shqetësim të konsiderueshëm te banorët e Pulwamas është krijimi i një Instituti Kombëtar të Teknologjisë (NIT). NIT-të janë një rrjet kombëtar kolegjesh inxhinierike të menaxhuara nga Qeveria, ndër shkollat më të njohura teknologjike të vendit. Sipas një njoftimi qeveritar të lëshuar më 24 dhjetor, po merret një sipërfaqe e madhe prej 243 hektarë tokë për kolegjin, shumica e të cilës është tokë bujqësore dhe hortikulturore, që është shumë e vlefshme për banorët, pasi që varen nga ajo për mbijetesën e tyre.
“Transferimi i propozuar i tokës prek 10 fshatra në Pulwama”, ka thënë Haroon. “Kjo tokë është jeta jonë”.
Ai thotë se shumica e njerëzve në këto fshatra nuk kanë ndonjë potencial ekonomik përveç hortikulturës.
“Disa merren me gjedhe për të jetuar, por edhe atëherë, janë këto toka ku kafshët shkelin për të kullotur", ka thënë ai.
Linjat e reja hekurudhore
Ndërtimi i kolegjit nuk është projekti i vetëm që Qeveria ka planifikuar në rajonin e Kashmirit. Prej 2019, New Delhi ka autorizuar disa megaprojekte si – rrugë, tunele, linja hekurudhore dhe komplekse banesore – që kritikët thonë se mund të shkatërrojnë jo vetëm tokën e pasur agrikulturore, por edhe tipografinë e ndjeshme të Himalajeve.
Banorët e Kashmirit kanë akuzuar qeverinë se ata kanë marrë vendime për këto toka pa pëlqimin apo kompensimin e duhur.
Ghulam Muhammad Tantray, 65 vjeç, ka 0.5 hektarë tokë bujqësore në Dirhama, ku gjenden një grumbull i vogël prej 150 shtëpish në mes të një zone të gjerë me fusha të gjelbra të mbuluara me mijëra pemë molle në distriktin Anantnag.
“Kopshti më sjell 13,000 dollarë për çdo vit”, ka thënë Tantray.
Por, ai frikësohet se mund të humbë tokën e tij pas ardhjes së zyrtarëve qeveritarë për të bërë matjet e tokës vitin e kaluar.
“Ne nuk kishim asnjë ide se çfarë po vinte, derisa Ministria e Hekurudhave kishte urdhëruar një studim fizibiliteti për zonën, në përpjekje për të shtuar pesë shina të reja hekurudhore në rajon. U frikësuam si asnjëherë më parë. Është si të humbasësh diçka shumë të shtrenjtë për ty. Kemi rritur këtë tokë dhe këto pemë si fëmijët tanë," thotë Tantray për Al Jazeera.
Zona e rajonit të Kashmirit të administruar nga India ka pasur gjithmonë vetëm një linjë hekurudhore që lidh qytetin kodrinor të Banihalit me distriktin Baramulla në veri.
Por qeveria planifikon të shtojë pesë linja të tjera që do të kalojnë përmes luginës, për të cilat do të merren qindra hektarë tokë, duke eliminuar pemishte dhe plantacione të tjera që janë thelbësore për rajonin. Ky përmirësim është pjesë e projektit ambicioz të qeverisë për ta lidhur Kashmirin me pjesën tjetër të vendit përmes një linje hekurudhore që do të mundësojë udhëtime të lehta dhe të përballueshme për miliona indianë që vizitojnë rajonin për turizëm ose pelegrinazh fetar.
Një nga pesë linjat e reja hekurudhore do të kalojë përmes Dirhamës, ku do të ndërtohet gjithashtu një stacion hekurudhor.
"Të paktën 80 nga 150 shtëpitë në Dirhama do të humbin burimet e tyre kryesore të të ardhurave pas përfundimit të projektit hekurudhor", thotë Tantray. "Sa për mua, nga 0.5 hektarë që kam, 0.4 hektarë do të përdoret për stacionin e ri hekurudhor. Çfarë do të më mbetet?"
Tantray thotë se banorët e fshatit kanë mbajtur disa protesta, duke kërkuar që stacioni hekurudhor të zhvendoset dhe duke iu thënë zyrtarëve të qeverisë se ata "nuk e kërkuan kurrë atë".
"Tokat janë trashëgimia jonë familjare. Ato kanë siguruar jetesën tonë për breza", thotë Tantray për Al Jazeera. "Para krizës në rritje të papunësisë, kjo tokë është e vetmja mundësi që do të kenë tre djemtë e mi nëse nuk arrijnë të gjejnë punë".
Një tjetër banor, që kërkoi të mbetet anonim, ka thënë se: "Banorët e Kashmirit nuk e dinë se si do të përfitojnë nga këto projekte".
Al Jazeera kontaktoi disa zyrtarë të qeverisë për komentet e tyre mbi projektet hekurudhore, por ata nuk u përgjigjën.

Mbivendosja e objekteve civile dhe ushtarake
Disa nga afërsisht 50 projektet e infrastrukturës që janë në zhvillim në Kashmirin e administruar nga India lidhen me ndërtimin e më shumë rrugëve dhe zgjerimin e lidhjeve rrugore me rajonin kufitar të Ladakh, ku ushtarët indianë dhe kinezë u përballën në vitin 2020, duke shkaktuar një përplasje ushtarake që zgjati – me shenja të një zbutjeje eventuale midis dy gjigantëve aziatikë që po shfaqen vetëm tani.
Muajin e kaluar, Modi inauguroi një tunel rrugor Z-Morh me gjatësi 6.5 km, i ndërtuar në një lartësi prej 2.6 km, i cili lidh fshatin Kangan në Kashmirin qendror me Sonmarg, një vendpushim të njohur turistik në rrugën për në Ladakh.
Të tjerë pasqyrojnë objektiva më të qarta civile.
Një rrugë prej 250 km që lidh sheshet jugore të Jammu me qytetin kryesor të rajonit, Srinagar, është duke u zgjeruar në katër korsi me një kosto marramendëse prej 1.92 miliardë dollarësh, sipas dokumenteve të qeverisë.
Përveç kësaj, një rrugë rrethore prej 6.84 km po ndërtohet rreth Srinagarit për t’i lejuar automjetet – si civile ashtu dhe ushtarake – të kalojnë përmes zonave urbane të ngarkuara me trafik të qytetit dhe të lehtësojnë mobilitetin me distriktet e Baramullas dhe Ganderbalit, që kufizohen me Pakistanin dhe Kinën, përkatësisht. Rruga rrethore do të ketë autostrada të reja të ndërtuara përmes fushave me oriz dhe kopshteve me mollë rreth Srinagarit.
Dhe pastaj ka nisma që mund të shërbejnë për qëllime si civile ashtu edhe ushtarake.
Për shembull, rruga rrethore do të shoqërohet nga një projekt tjetër 161 km i gjatë, me një kosto prej rreth 95 milion dollarësh, i cili fillon në Srinagar dhe do të lidhet me rrugën e Baramullas në rrugën e tij për në qytetin kufitar Uri, ku do të lidhet me një tjetër seksion katër korsish prej 51 km, duke lehtësuar udhëtimin mes distrikteve afër kufirit të thellë ushtarak të Indisë me Pakistanin.
Michael Kugelman, drejtor i Institutit të Azisë së Jugut në Qendrën Wilson, thotë se projektet synojnë forcimin e prezencës ushtarake të Indisë në zonat e ndjeshme kufitare, me heqjen e Nenit 370 që e bëri më të lehtë për New Delhin të vazhdojë me to.
"Këto projekte infrastrukturore mund të kenë për qëllim t’i forcojnë interesat e sigurisë kombëtare të Indisë, por ironia është se, për shkak të kundërshtimit të banorëve ndaj projekteve, ato mund të përfundojnë duke i cenuar ato – dhe kjo nuk është një çështje e vogël në një rajon ku ankesat kundër qeverisë kanë qenë të forta", thotë ai.
Banori i Pulwamas, Haroon, gjithashtu frikësohet se projekti i propozuar për NIT ka dimensione ushtarake.
"Duket se ky projekt është menduar për të krijuar një prezencë më të thelluar ushtarake këtu," thotë ai. "Përndryshe, pse do të kishin nevojë për 243 hektarë tokë për projektin? Udhëzimet e vitit 2014 të Ministrisë së Burimeve Njerëzore të Indisë e vënë kërkesën ideale të tokës për NIT në 121 hektarë. Por kjo është dyfish më shumë."
Altaf Thakur, zëdhënës i Partisë Bharatiya Janata (BJP) të Modit në rajon, pranon se disa nga këto projekte "kanë natyrë përdorimi të dyfishtë".
"Por fakti është se ato janë gjithashtu këtu për të lehtësuar ekonominë lokale dhe për të eliminuar pengesat e udhëtimit," është deklaruar ai për Al Jazeera. "Sigurisht, ka shumë mendime pas këtyre projekteve. Pse do ta sjellim një projekt nëse nuk do të përfitojnë njerëzit?"
“Vdekja nga një mijë projekte infrastrukturore”
Në një lëvizje tjetër që ka nxitur frikën e një ndryshimi demografik në rajon, qeveria shpalli vitin e kaluar krijimin e të paktën 30 komplekseve rezidenciale brenda një periferie prej 500 metrash rreth rrugës së unazës së Srinagarit.
Frikësimet për një ndryshim demografik shpërthyen në Kashmir në vitin 2020, kur New Dehli lehtësoi rregullat për shtetasit indianë për t’u vendosur në rajon.
Akademiku kashmirian Mohamad Junaid, profesor asistent në departamentin e antropologjisë në Kolegjin e Arteve Liberale të Massachusetts në Shtetet e Bashkuara, thotë për Al Jazeera se ai frikësohet se “projektet e hekurudhave dhe infrastrukturës të tjera nuk janë të bazuara në nevojat e popullatës kashmiriane, ose madje edhe në nevojat e ardhshme të shoqërisë kashmiriane”.
“Ato kanë për qëllim të ndryshojnë peizazhin dhe të shqetësojnë e dëmtojnë ekonominë kashmiriane. Është vdekje nga një mijë projekte infrastrukturore,” thotë ai, duke shtuar se Lugina e Kashmirit ka “tokë bujqësore shumë të kufizuar, e cila është thelbësore për një pjesë të madhe të shoqërisë për të mbijetuar”.
“Ndërtimi i projekteve të tilla mbi këtë tokë jo vetëm që do të konsumojë tokë, por gjithashtu do të çojë në ndarjen e komuniteteve dhe do të krijojë barrierë mes tyre. Ndërkohë që është e qartë se hekurudhat janë për pelegrinazhet hinduse dhe lëvizjen e trupave, është edhe më shqetësuese fakti që qeveria po krijon ‘qytete’ – për kë? Këto vendbanime nuk janë për banorët e Kashmirit”.
BJP-ja, megjithatë, akuzon kritikët se po përpiqen të mbajnë Kashmirin “të bllokuar në të kaluarën e tij të mbushur me dhunë”.
“Çdo person, pronat e të cilit janë të përfshira në këto projekte, do të kompensohet”, ka insistuar zëdhënësi i qeverisë Thakur. “Këto gjëra nuk ndodhin pa konsensus. Projektet kanë përfitime afatgjata dhe do të maksimizojnë potencialin ekonomik të rajonit.”
Ndërkohë, aktivistët përshkruajnë blerjen e vazhdueshme të tokave për projektet e New Delhit si “arbitrare”, duke pretenduar se disa pronarë të shqetësuar të tokave po kompensohen sipas një ligji të vitit 1990, të cilin ata e quajnë të tejkaluar pasi New Delhit hoqi statusin special të rajonit.
“Ligji i ri për të drejtat e kompensimit i vitit 2013 premton kompensim katër herë më shumë se çmimi i tregut,” thotë Raja Muzaffar Bhat, një aktivist ambientalist nga rajoni.
Një ish-punonjës i qeverisë, i njohur me kontestin lidhur me kompensimin më të ulët të pretenduar për pronarët e tokave nën projektin e rrugës së unazës të Srinagarit, thotë se qeveria e ka përdorur ligjin e vitit 1990 retrospektivisht, pasi ligji i vitit 2013 nuk ishte në fuqi kur u shpall njoftimi për projektin në vitin 2017.
“Normat e kompensimit duhet të përgatiten brenda dy vjetëve nga shpallja e njoftimit,” thotë ai, duke folur nën kushte anonimiteti. “Por në këtë rast, ka marrë më shumë se tre vjet. Kur u përgatit, Neni 370 u shfuqizua dhe një ligj i ri hyri në fuqi”.
Por Haroon në Pulwama thotë se ai do të refuzojë kompensimin e qeverisë ose një punë që ofrohet në vend të tokës së tij.
“Puna ose kompensimi do të zgjasin vetëm për disa vjet. Por kjo tokë është trashëguar brez pas brezi,” thotë ai.
“Vetëm vitin e kaluar, 1 kg bajame që prodhuam në këtë tokë është shitur për 250 rupi (afërsisht 3 dollarë). Këtë vit, u shit për 350 rupi (më shumë se 4 dollarë). Kur merret parasysh në total, kjo është një rritje masive e të ardhurave që një punë ose kompensim i vetëm nuk mund ta zëvendësojnë”.