Nëntë të mbijetuar nga fundosja e një varke me emigrantë në brigjet e Greqisë, ku mbetën të vdekur të paktën 78 persona, janë arrestuar të enjten nën dyshimin për kontrabandë, teksa shpresa është shuar për gjetjen gjallë të qindra emigrantëve të tjerë që janë zhdukur dhe vëmendja është kthyer në dështimin e Greqisë për të vepruar përpara se anija e mbipopulluar të përmbysej.
Barka mund të ketë transportuar deri në 750 pasagjerë, duke përfshirë gra dhe fëmijë, raportoi "Euronews".
Kjo është edhe një ndër fundosjet më vdekjeprurëse ndonjëherë në Detin Mesdhe. Një operacion i madh kërkim-shpëtimi fillimisht gjeti 78 trupa dhe 104 të mbijetuar.
Ndërkohë, autoritetet greke u kritikuan se nuk kanë vepruar për të shpëtuar emigrantët. Zyrtarët grekë kanë thënë se emigrantët refuzuan vazhdimisht ndihmën dhe këmbëngulën për të vazhduar në Itali, megjithatë ekspertët ligjorë kanë thënë se kjo nuk është justifikim.
Roja bregdetare ka thënë të enjten se ka arrestuar nëntë të mbijetuar me dyshimin se i përkisnin rrjetit të kontrabandës që organizoi udhëtimin.
Sipas televizionit shtetëror “ERT”, të dyshuarit ishin të gjithë egjiptianë, duke shtuar se anija fillimisht u nis nga një port egjiptian për në zonën e Tobrukut në Libinë lindore, ku mori emigrantët.
Ekspertët e rojës bregdetare besojnë se varkës mund t'i ketë mbaruar karburanti ose ka pasur probleme me motorin, duke bërë që ajo të përmbyset.