Botë

Arrestime për rrëmbimet që tronditën Francën

Arrestime për rrëmbimet që tronditën Francën

Një 34-vjeçare, vajza e shefit të një platforme blerjeje kriptovalutash, i shpëtoi një tentative të dhunshme rrëmbimi në qendër të Parisit falë ndërhyrjes heroike të bashkëshortit

Policia franceze ka arrestuar mbi 20 persona në lidhje me disa raste të tentim-rrëmbimeve të organizuara ndaj bossëve të kriptovalutave dhe familjarëve të tyre. Autoritetet kanë bërë të ditur se arrestimet lidhen me hetimet për një tentim-rrëmbim të fundit në qytetin Nantes dhe një përpjekje tjetër për të rrëmbyer një grua dhe një fëmijë në Paris gjatë muajit maj, shkruan BBC.

Ngjarjet kanë ngritur shqetësime serioze për sigurinë e personave që posedojnë pasuri të mëdha në kriptovaluta, të cilët po shndërrohen në objektiva të grupeve kriminale që kërkojnë shpërblim.

Sipas mediave franceze, gjithsej 24 persona janë marrë në paraburgim. Arrestimet lidhen me një tentim të pasuksesshëm nga një grup i maskuar për të rrëmbyer vajzën dhe nipin e një drejtuesi të njohur në sektorin e kriptovalutave, në Paris më 13 maj. Viktimat janë përshkruar nga mediat si të afërm të Pierre Noizat, bashkëthemelues i platformës franceze të këmbimit të Bitcoin, Paymium.

Arrestime janë bërë gjithashtu edhe në rajonin e Nantesit, ku policia ka parandaluar një tjetër tentim-rrëmbim ndaj një personi me lidhje në sektorin e kriptovalutave.

Raste të tjera të rrëmbimeve ose tentim-rrëmbimeve janë shënuar në Francë gjatë muajve të fundit. Më 1 maj në Paris, babai i një milioneri në kriptovaluta u rrëmbye nga persona me maska, të cilët më pas kërkuan nga djali i tij një shpërblim prej 5 deri në 7 milionë euro. Viktima u shpëtua disa ditë më vonë nga policia në një shtëpi në Palaiseau, në jug të Parisit, por kishte humbur një gisht, raportojnë mediat franceze.

Këto incidente pasojnë edhe rrëmbimin e David Ballandit, bashkëthemelues i kompanisë së njohur të kriptovalutave Ledger, i cili u rrëmbye së bashku me gruan e tij në janar, në shtëpinë e tyre në Francën qendrore. Ata u shpëtuan nga policia disa ditë më vonë, por Ballandi gjithashtu ishte lënduar rëndë, duke humbur një gisht. Në atë rast, rrëmbyesit kishin kërkuar 10 milionë euro shpërblim, dhe gjashtë burra e një grua janë arrestuar për këtë çështje.

Më 13 maj, një 34-vjeçare, vajza e shefit të një platforme blerjeje kriptovalutash, i shpëtoi një tentative të dhunshme rrëmbimi në qendër të Parisit falë ndërhyrjes heroike të bashkëshortit.

Përballë valës së këtyre sulmeve, ministri i Brendshëm francez, Bruno Retailleau, ka mbajtur takim emergjent me përfaqësues të industrisë në mes të majit. Gjatë këtij takimi, Retailleau ka premtuar se “i gjithë aparati shtetëror është mobilizuar për të ndjekur dhe neutralizuar autorët dhe nxitësit e këtij dhunimi”.