Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Policia franceze po heton një sërë rrëmbimesh të milionerëve të kriptovalutave

Policia franceze

Foto: AFP

Policia franceze po heton një sërë rrëmbimesh të investuesve të lidhur me kriptovaluta, pasi një burri 60-vjeçar iu këput një gisht nga sulmuesit që kërkuan që djali i tij - një milioner i kriptovalutave - të paguante para për lirimin, raporton “The Guardian”. 

Në rrëmbimin e fundit  të lidhur me kriptovaluta në Francë dhe Evropën Perëndimore, burri, që zotëronte kompani marketingu të kriptovalutave së bashku me djalin, u lirua nga një shtëpi në jug të Parisit të shtunën mbrëma. Ai ishte mbajtur mbi dy ditë. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Një nga gishtat e burrit ishte prerë dhe hetuesit thonë se mund të kishte pasur gjymtime tjera po të mos ishte shpëtuar. 

Burri, i cili nuk është identifikuar publikisht, u rrëmbye mëngjesin e të enjtes rreth orës 10:30, në një rrugë në Paris. Katër burra me maska skijimi e detyruan të hipte në një furgon mallrash. 

Ai u lirua nga policia në një bastisje rreth orës 21:00 të shtunën në një shtëpi 20 kilometra në jug të Parisit, në zonën Essonne. Pesë të dyshuar rreth të 20-ave u arrestuan në shtëpi. 

“Viktima duket se është babai i një burri që e ka bërë pasurinë e tij me kriptovaluta. U kërkua një shpërblesë për lirimin e tij”, ka thënë prokurori i shtetit. 

Gruaja e viktimës u tha hetuesve se burri dhe djali i saj i pasur, të dy zotëronin një firmë në Maltë për marketing të kriptovalutave dhe se kishin marrë kërcënime në të kaluarën. 

“Le Parisien” raporton se sulmuesit kërkuan 5-7 milionë euro, por shuma s’u pagua. 

Pesë të dyshuarit për rrëmbim, të moshave nga 20 deri 27 vjeç, po merren në pyetje nga policia. 

Rrëmbimi ishte i fundit nga një sërë rrëmbimesh të figurave të kriptovalutave në Francë dhe në shtetet fqinje. 

David Balland, bashkëthemelues i firmës së kriptovalutave “Ledger”, që vlerësohet në mbi 1 miliard dollarë, u kidnapua me partneren e tij më 21 janar në shtëpinë e tyre në Mereau, në Francën qendrore. Edhe atij iu pre një gisht. 

Sulmuesit mbërritën në shtëpinë e Ballandit në orët e mëngjesit dhe morën atë dhe partneren e tij. Ballandi u dërgua në një shtëpi në Chateauroux, dhe iu pre një gisht. 

Policia u kontaktua nga një partner i biznesit i Ballandit, të cilit i ishte dërguar një video e gishtit së bashku me një kërkesë për pagesë të një shpërblimi në kriptomonedha prej 10 milionë eurosh. Balland u lirua menjëherë pas një bastisje policore. Partnerja e tij u gjet e lidhur në bagazhin e një makine në një parking në Essonne në jug të Parisit mëngjesin e nesërm. 

Nëntë të dyshuar janë në hetim penal për atë rast, përfshirë udhëheqësin e dyshuar – 26-vjeçar – që kishte dosje policore për një rrëmbim të mëhershëm, 

Në dhjetor të vitit të kaluar, babai 56-vjeçar i një influencuesi të kriptovalutave me seli në Dubai, ishte shënjestra e një rrëmbimi të dyshuar në lindje të Francës. Sulmuesit mbërritën në shtëpinë e burrit, lidhën gruan dhe vajzën e tij dhe e detyruan atë të hipte në veturë. 

Djali mori një kërkesë për shpërblim dhe menjëherë kontaktoi policinë. Dy gratë u liruan shpejt, ndërsa babai u zbulua 24 orë më vonë në bagazhin e një makine në Normandi. Ai kishte shenja të dhunës fizike dhe ishte spërkatur me benzinë. 

Rrëmbime tjera u raportuan në Spanjë dhe Belgjikë në pesë muajt e fundit.