Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Amerikanët po i anashkalojnë çdo herë e më shumë studimet

Kur mendonte për të ardhmen, Grayson Hart gjithmonë e shihte veten me një diplomë universitare. Ai ishte një nxënës i mirë në shkollë të mesme. Hart dëshironte të bëhej aktor apo ndoshta mësues. Teksa rritej, ai besonte se kolegji ishte rruga e vetme për të pasur një punë të mirë, stabilitet dhe një jetë të lumtur.

Mirëpo pandemia me COVID-19 ia ndërroi mendjen, shkruan Associated Press.

Një vit pas mbarimit të shkollës së mesme, Hart tani po drejton programin e një teatri për të rinj në Jackson të Tennessee. Ai kishte shkuar në të gjitha fakultetet ku kishte aplikuar, mirëpo i ka refuzuar të gjitha. Kostoja ishte një faktor i madh, por një vit mësimi në distancë gjithashtu i dha atij kohë dhe besim për të krijuar rrugën e tij.

Hart është vetëm një prej qindra e mijëra të rinjve të cilët duke u gjendur gjatë pandemisë në kohën kur duhej të fillonin studimet, nuk e bënë këtë. Shumica prej tyre kanë nisur punë apo karriera të cilat nuk kërkojnë diploma, derisa shumë prej tyre janë penguar nga kostoja e lartë e studimeve.

Sipas të dhënave të “National Student Clearinghouse”, në mbarë vendin, regjistrimi i kolegjeve universitare ka rënë me 8 për qind nga viti 2019 deri në vitin 2022. Rënia e shkallës së studimeve në kolegj që nga viti 2018 është më e ulëta e regjistruar, sipas Byrosë së Statistikave të Punës të SHBA-së.

Ekonomistët vlerësojnë se ndikimi mund të jetë i tmerrshëm. Sipas tyre, në rastin më të keq, mund të sinjalizojë një brez të ri me pak besim në vlerën e një diplome kolegji. Së paku, duket se ata që ndërprenë universitetin gjatë pandemisë janë duke u larguar përgjithmonë. Parashikimet se ata do të riktheheshin pas një ose dy vjetësh nuk janë realizuar.

Gjendja me më pak të diplomuar në kolegj mund të përkeqësojë mungesën e fuqisë punëtore në fusha nga kujdesi shëndetësor deri te teknologjia e informacionit. Për ata që heqin dorë nga kolegji, kjo zakonisht nënkupton fitime më të ulëta gjatë gjithë jetës – 75 për qind më pak krahasuar me ata që marrin diploma bachelor, sipas Qendrës së Universitetit Georgetown për Arsimin dhe Forcën Punëtore. Dhe kur ekonomia përkeqësohet, ata pa diploma kanë më shumë gjasa të humbasin vendet e punës.

"Është një fakt mjaft i rrezikshëm për fuqinë e ekonomisë sonë kombëtare”, ka thënë Zack Mabel, një studiues i Georgetown.

Në dhjetëra intervista me Associated Press, edukatorët, studiuesit dhe studentët përshkruan një brez të lodhur nga institucionet arsimore. Të mbetur kryesisht në mes të mësimit në distancë, shumë morën punë me kohë të pjesshme. Disa mendonin se nuk po mësonin asgjë, dhe ideja e katër vjetëve të tjera të shkollës, apo edhe dy, tërhoqi pak njerëz.

Në të njëjtën kohë, borxhi studentor i vendit është rritur. Çështja është shfaqur e madhe në mendjet e të rinjve amerikanë teksa presidenti, Joe Biden ka anuluar një pjesë të madhe të borxhit, një përpjekje të cilën Gjykata e Lartë duket e gatshme ta bllokojë.

Artikuj të ngjashëm