Lifestyle

Maturantët e COVID-it para sfidës së madhe

Gati një të tretën e karrierës në shkollën e mesme Hope e ka kaluar në shtëpi, me mësime online, që ishin të vështira për t’u ndjekur dhe të lehta për t’u lënë mënjanë. Disa ditë e la shkollën për të punuar disa orë shtesë në punën e tij. Të tjerat i kalonte me vëllanë e motrën e duke qëndruar në shtrat. Algjebra ia tërhoqi pak vëmendjen e tij, mirëpo mësuesit vazhduan t’i jepnin nota të mira si shenjë tolerance

Angel Hope e vështronte testin e matematikës i përhumbur. Sapo kishte diplomuar nga shkolla e mesme, duke fituar bursa nga kolegje prestigjioze. Mirëpo në këtë test – provim i Universitetit të Wisconsinit, që mat atë që studentët e rinj mësuan në shkollën e mesme – krejt çka mund të bënte ishte vetëm të hamendësonte.

Ishte sikur e gjithë periudha e pandemisë po e mbërthente menjëherë.

Gati një të tretën e karrierës në shkollën e mesme Hope e ka kaluar në shtëpi, me mësime online, që ishin të vështira për t’u ndjekur dhe të lehta për t’u lënë mënjanë. Disa ditë e la shkollën për të punuar disa orë shtesë në punën e tij. Të tjerat i kalonte me vëllanë e motrën e duke qëndruar në shtrat.

Algjebra ia tërhoqi pak vëmendjen e tij, mirëpo mësuesit vazhduan t’i jepnin nota të mira si shenjë tolerance.

“Ndihem sikur nuk kam mësuar asgjë”

“Dukej sikur shkolla ishte fakultative. S’ishte diçka e detyrueshme”, ka thënë 18-vjeçari Hope nga Milawaukee. “Ndihem sikur nuk kam mësuar asgjë”.

Në të gjithë vendin ka të tjerë të panumërt si ai. Qindra mijëra maturantë po shkojnë në kolegj këtë vjeshtë pasi kaluan më shumë se gjysmën e karrierës së tyre të shkollës së mesme duke u marrë me trazirat e pandemisë së koronavirusit. Ata duruan transicionin e vështirë drejt mësimit në internet, sforcimet nga mungesat e mësuesve dhe ndërprerjet e thella në jetën e tyre në shtëpi. Besohet se shumë prej tyre janë dukshëm prapa akademikisht.

Kolegjet mund të shohin rritje të studentëve të papërgatitur për kërkesat e punës në nivel kolegji, kanë njoftuar ekspertët e arsimit. Fillimi i një hapi prapa mund ta rrisë rrezikun e braktisjes. Dhe kjo mund të dëmtojë gjithçka, nga të ardhurat afatgjata të një personi deri te shëndeti i fuqisë punëtore të vendit.

Thellimi i problemit u bë i dukshëm për Allison Wagner, kur shqyrtonte aplikimet për All-In Milwaukee, program bursash që ofron ndihmë financiare dhe këshillim kolegji për studentët me të ardhura të ulëta, duke përfshirë Hopen.

Programet “urë”

Wagner, drejtoresha ekzekutive e grupit, pa një numër befasues studentësh, të cilëve iu dha leja ta kalonin gjysmën e ditës së shkollës duke punuar me kohë të pjesshme në vitin e tyre të fundit, shpesh në zinxhirë të ushqimit të shpejtë ose në dyqane ushqimore. Vuri re më shumë studentë se kurrë që nuk merrnin lëndë matematike ose shkencash në vitin e tyre të fundit, shpesh si rezultat i mungesës së mësuesve.

“Kemi kaq shumë studentë që po shkojnë në kolegj të papërgatitur akademikisht”, ka theksuar Wagner. “Nuk ka asnjë mënyrë që ata të përgatiten për vështirësitë e kolegjit”.

Grupi i saj po rrit buxhetin e tij të mësimdhënies dhe po mbulon shpenzimet e shkollimit për studentët në program që marrin mësime verore në matematikë ose shkencë. Megjithatë, ajo ka frikë se pengesat do t’i detyrojnë disa studentë të marrin më shumë se katër vjet për t’u diplomuar ose, më keq, ta braktisin shkollimin.

Image

“Aksionet janë jashtëzakonisht të larta”, u shpreh ajo.

Studiuesit kanë treguar se është e qartë që mësimi në distancë ka shkaktuar pengesa në mësim, më së shumti te studentët me ngjyrë dhe hispanikë. Për studentët më të rinj ka ende shpresë se shkollat ​​e Amerikës mund ta përshpejtojnë ritmin e mësimdhënies dhe t’i mbyllin boshllëqet e të mësuarit. Por për ata që u diplomuan në dy vjetët e fundit, ekspertët kanë frikë se shumë do të kenë vështirësi.

Në pritje të nevojave më të larta, kolegjet nga Nju Xhersi në Kaliforni kanë zgjeruar programet “urë” që ofrojnë klasa verore, shpesh për studentët me të ardhura më të ulëta ose ata që janë të parët në familjet e tyre që ndjekin kolegj. Programet e trajtuara më parë si orientim po marrin avantazh akademik më të vështirë, me fokus në matematikë, shkencë dhe aftësi studimore.

Në Hanceville, Alabama, Kolegji Shtetëror i Komunitetit Wallace këtë vit i ka shfrytëzuar paratë e shtetit për të krijuar programin e tij të parë të urës verore, ndërsa përgatitet për një fluks studentësh të papërgatitur. Studentët mund t’i marrin tri javë mësime të përshpejtuara në matematikë dhe anglisht në një përpjekje për t’i shmangur orët shtesë.

Shkolla shpresonte t’i sillte deri në 140 studentë në kampus, por vetëm 10 u regjistruan.

Shtetet e tjera e kanë përdorur lehtësimin e pandemisë për t’i ndihmuar kolegjet të ndërtojnë programe verore. Në Kentucky, i cili u dha kolegjeve 3.5 milionë dollarë për përpjekjet këtë vit, zyrtarët e quajtën atë një “imperativ moral”.

“Ne kemi nevojë për këta njerëz që të jenë forca jonë e ardhshme e punës dhe kemi nevojë që ata të jenë të suksesshëm”, ka thënë Amanda Ellis, nënkryetare e Këshillit të Kentuckyt për arsimin e lartë.

Punësimi

Pas goditjes së pandemisë, Angel Hope ka punuar deri në 20 orë në javë në punën e tij. Ai ndjeu se koha larg shkollës ia vlente për paratë, veçanërisht kur askush nuk u kushtonte vëmendje mësimeve online. Me prindërit e tij larg në punë, ai shpesh ndihej i vetëm, duke iu shmangur rrjeteve sociale për ditë të tëra.

Pandemia bëri që shumë nxënës të shkollave të mesme të shkëputeshin në një kohë kur ata zakonisht përgatiteshin për kolegj ose karrierë, ka shpjeguar Rey Saldaña, president dhe themelues i Komuniteteve në Shkolla, grup jofitimprurës që vendos këshilltarë në shkollat ​​publike në 26 shtete.

Grupi i tij punoi në disa rrethe ku qindra studentë thjesht nuk u kthyen pasi u rihapën klasat. Në Charlotte, Karolina e Veriut, joshja e pagave të qëndrueshme mbajti shumë studentë larg shkollës edhe pasi orët e mësimit fizikisht rifilluan, ka bërë të ditur Shakaka Perry, koordinatore riangazhimi për Komunitetet në Shkolla.

Disa muaj pasi u përpoq me testin e tij të vendosjes në matematikë, Hope u drejtua në Universitetin e Wisconsin-Madison për gjashtë javë mësime intensive në një program veror. Ai mori një orë matematike që mbuloi terrenin që i kishte munguar në shkollën e mesme dhe u regjistrua për të marrë llogaritjet në vjeshtë.

Ai ringjalli gjithashtu aftësitë bazë të studimit që i mbetën në gjumë në shkollën e mesme. Filloi të studionte në bibliotekë. U mësua me ritmet e shkollës, me detyra çdo ditë dhe teste çdo javë tjetër. E ka rizbuluar ndjenjën se si është ta shijosh shkollën.

Më e rëndësishmja, ai thotë se kjo ndryshoi mentalitetin e tij: Tani ndihet sikur është aty për të mësuar, jo vetëm për t’ia dalë mbanë.

“Sigurisht që pas kësaj ndihem i përgatitur për kolegj”, ka theksuar ai. “Nëse nuk do ta bëja këtë, nuk e di se ku do të isha”./AP

Përktheu: Blerta Haxhiu