Botë

Ambasadori amerikan në Izrael: Shtetet myslimane të japin territor për shtet palestinez

Mike Huckabee

Mike Huckabee

Ambasadori amerikan në Izrael, Mike Huckabee, ka sugjeruar që “shtetet myslimane” duhet të japin pjesë të territorit të tyre për të krijuar në të ardhmen një shtet palestinez.

Në një intervistë për BBC-në, Huckabee ka thënë se “shtetet myslimane kanë 644 herë më shumë tokë se ajo që kontrollohet nga Izraeli”.

“Andaj ndoshta, nëse ka kaq shumë dëshirë për shtetin palestinez, dikush do të thoshte, ne do të donim ta bënim këtë”, ka thënë ai.

Ambasadori po ashtu ka kritikuar aleatët e SHBA-së, Britaninë e Madhe dhe Australinë që i kanë sanksionuar dy ministra izraelitë për nxitje të dhunës ndaj komunitetit palestinez në Bregun Perëndimor.

Në intervistë, ambasadori ka thënë se qëllimi që synohet është zgjidhja me dy shtete – si formulë e propozuar për paqe mes Izraelit dhe palestinezëve e që ka mbështetje të gjerë ndërkombëtare.

Ndërkaq në një intervistë tjetër me “Bloomberg”, Huckabee ka thënë se SHBA-ja s’po ndjek më qëllimin për shtet të pavarur palestinez.

Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Tammy Bruce, ka thënë më vonë se ambasadori “flet për vete”, dhe se presidenti është përgjegjës për politikën amerikane në Lindjen e Mesme.

Edhe pse Huckabee nuk ka specifikuar se ku mund të jetë i lokalizuar një shtet palestinez apo a e ka përkrahjen e SHBA-së një përpjekje e tillë, ai e quajti jo të duhur thirrjen e një konference të diplomatëve amerikane, francezë e arabë më vonë gjatë muajit për një udhërrëfyes për shtet të mundshëm palestinez.

Izraeli e refuzon zgjidhjen me dy shtete. Ky shtet thotë se çfarëdo zgjidhje finale duhet të jetë rezultat i negociatave me palestinezët dhe se shtetësia nuk duhet të jetë parakusht.

Huckabee në të kaluarën ka qenë përkrahës i madh i idesë së “Izraelit të madh” duke kërkuar kontrollin e përhershëm izraelit në territoret palestineze.

LEXO EDHE: