Botë

SHBA-ja s’ka plane për ndërhyrje ushtarake në Iran, thotë ambasadori amerikan në Izrael

Mike Huckabee

Foto: Associated Press

Ambasadori i SHBA-së në Izrael, Mike Huckabee, ka thënë të hënën se Uashingtoni nuk ka aktualisht plane për të ndërhyrë në Iran.

Megjithatë, Huckabee i ka thënë transmetuesit britanik Sky Neës se vendimet përfundimtare do të merren nga presidenti amerikan, Donald Trump dhe kabineti i tij.

“Nuk po dëgjoj asgjë për momentin që Amerika po përgatitet të angazhohet ushtarakisht”, ka thënë Huckabee.

Huckabee ka shtuar se protestat në Iran janë nxitur nga zemërimi i publikut për kushtet e jetesës dhe qeverisjen.

Sipas Huckabee, Trumpi preferon të mos përdorë forcë ushtarake. Ai ka shtuar se kjo mund të ndryshojë nëse qeveria iraniane vazhdon të vrasë protestues.

“Ai do të ndërhyjë kur të jetë e nevojshme,” ka thënë Huckabee.

Aktivistët thonë se protestat kanë shkaktuar vdekjen e 2,000 personave.

Më shumë se 10,700 persona janë ndaluar gjithashtu gjatë dy javëve të protestave, sipas Agjencisë së Lajmeve për Aktivistët e të Drejtave të Njeriut me seli në SHBA, e cila ka qenë e saktë gjatë trazirave të mëparshme në vitet e fundit.

Për shkak të internetit të ndërprerë në Iran, vlerësimi i përmasave të protestave nga jashtë vendit është bërë gjithnjë e më i vështirë.