Emisarët amerikanë pritet të udhëtojnë drejt Pakistanit gjatë të shtunës, në një përpjekje tjetër për të biseduar për armëpushimin me Teheranin, edhe pse Irani ka përjashtuar mundësinë e negociatave direkte me përfaqësuesit amerikanë.
Përpjekja e fundit për ta ndërmjetësuar armëpushimin vjen në një kohë kur armëpushimi i mëhershëm ka ndalur shumicën e luftimeve, por pasojat ekonomike janë në rritje për shkak të mbylljes së Ngushticës së Hormuzit.
Pakistani është përpjekur t’i ulë sërish në një tavolinë përfaqësuesit e të dyja shteteve, pasi presidenti amerikan Donald Trump njoftoi për zgjatjen e armëpushimit, “në nder të kërkesës së Islamabadit”.
Shtëpi e Bardhë ka njoftuar të premten se Trumpi do ta çojë Steve Witkoffin dhe Jared Kushnerin për ta takuar ministrin e Jashtëm iranian, Abbas Araghchi. Por sapo që Araghchi ka mbërritur në Islamabad, ministria e tij ka thënë se çfarëdo bisedime që mund të mbahen do të jenë indirekte dhe mesazhet do të transmetohen nëpërmjet zyrtarëve pakistanezë.
Araghchi dhe dy emisarët e Trumpit patën zhvilluar bisedime indirekte edhe në Gjenevë më 27 shkurt, mbi programin nuklear të Iranit, por gjithçka përfundoi pa marrëveshje. Të nesërmen, Izraeli dhe SHBA-ja nisën luftën ndaj Iranit.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, ka thënë për “Fox News” se presidenti ka vendosur t’i çojë dy emisarët në Pakistan “për të dëgjuar Iranin”.
Edhe
Pakistani i dorëzon SHBA-së propozimin e rishikuar iranian për t'i dhënë fund luftës
“Sigurisht që kemi parë përparim nga pala iraniane ditëve të fundit”, ka thënë ajo duke mos ofruar detaje të tjera.
Që nga nisja e luftimeve në Iran, më shumë se 3300 persona kanë vdekur vetëm në këtë shtet. E gati 2500 kanë humbur jetën në Liban, në luftimet mes Izraelit dhe grupit militant Hezbollah.