Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi është takuar në OKB me Steve Witkoff, të dërguarin e presidentit amerikan, Donald Trump, në një ditë kur lideri amerikan deklaroi se mund ta "asgjësonte" Republikën Islamike nëse konflikti mbetej i pazgjidhur.
Nuk është raportuar për ndonjë përparim thelbësor nga bisedimet e organizuara nga Katari, të parat që nga dështimi i armëpushimit të qershorit.
Witkoff ka thënë se kishte përfunduar një rund diskutimesh "për të cilat shpresojmë se do të rezultojnë konstruktive dhe premtuese". Irani ka përsëritur kërkesën që SHBA-ja t'u japë fund "akteve të agresionit".
SHBA-ja dhe Izraeli kryen sulme ajrore ndaj Iranit më 28 shkurt. Irani është kundërpërgjigjur duke sulmuar Izraelin dhe bazat amerikane në Gjirin Persik e te aleatët arabë të SHBA-së në rajon, si dhe duke bllokuar Ngushticën e Hormuzit.
Rreth 20% e naftës dhe gazit natyror të lëngshëm në botë kalonte përmes kësaj ngushtice para luftës, dhe mbyllja e saj ka shkaktuar luhatje të mëdha të çmimeve.
Kjo ka shtuar gjithashtu presion mbi Trumpin për të gjetur një mënyrë për t'i dhënë fund konfliktit – veçanërisht ndërsa SHBA-ja po shkon drejt zgjedhjeve për Kongresin në nëntor.
Fjalimin e tij në takimin vjetor të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Neë York të martën, Trumpi e ka nisur duke theksuar arritjet e tij në ekonomi, imigracion, çështjet e kufirit dhe luftën kundër krimit të dhunshëm, komente që dukeshin më tepër të drejtuara te votuesit amerikanë për zgjedhjet e ndërmjetme sesa te diplomatët në sallë.
Ai e ka kaluar pjesën më të madhe të fjalimit duke justifikuar luftën me Iranin, në kontrast të plotë me deklaratat e mëparshme të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, i cili paralajmëroi se përçarjet globale po thelloheshin dhe nënvizoi "ndërvarësinë" mes popujve të botës.
Presidenti amerikan ka argumentuar konflikti e kishte penguar Teheranin të siguronte armë bërthamore dhe kishte demonstruar vlerën e asaj që ai e ka përshkruar si "paqe përmes forcës" – pra, ultimatume në vend të marrëveshjeve apo kompromiseve.
"A do të arrihet një marrëveshje me Iranin që i lejon ata të rindërtojnë dhe të krijojnë një vend shumë më të madh e më të fuqishëm se ç'ka qenë ndonjëherë më parë?" – pyeti ai.
"Apo ta asgjësoj Republikën Islamike dhe ta bëj këtë shpejt, duke mos u dhënë kurrë mundësinë të vrasin e të shkatërrojnë njerëz dhe vende të tjera? A t'i dërgoj ata në ferr?"
Trumpi ka thënë se besonte se një marrëveshje me Iranin, e cila deri më tani i ka shpëtuar, do të arrihej menjëherë pas zgjedhjeve të nëntorit. Vërejtjet ishin tregues të strategjisë së tij të politikës së jashtme të diplomacisë shtrënguese, duke kërcënuar me forcë dërrmuese ndërsa mbante negociatat të hapura.
Më vonë, Trumpi u ka thënë gazetarëve se zyrtarët amerikanë kishin pasur një takim tre-orësh "shumë produktiv" me delegacionin iranian në margjinat e asamblesë së përgjithshme.
Televizioni shtetëror iranian ka konfirmuar se ministri i Jashtëm Abbas Araghchi ishte takuar me Witkoff.
Zëdhënësi i ministrisë së jashtme iraniane, Esmail Baghaei, i cituar nga transmetuesi shtetëror IRNA, ka thënë më vonë se negociatat u zhvilluan përmes një ndërmjetësi nga Katari, i cili i komunikoi kushtet e Teheranit, duke përfshirë përfundimin e luftës në të gjitha frontet dhe "aktet e agresionit" të SHBA-së.