Ambasadori amerikan në Izrael, Mike Huckabee, ka folur përsëri kundër dhunës së kolonëve izraelitë në Bregun Perëndimor të pushtuar, duke e quajtur sjelljen e tyre “akt terrori”.
Ambasadori amerikan të shtunën iu referua kolonëve si “terroristë”.
Këtë fjalë zyrtarët amerikanë zakonisht e përdorin duke iu referuar militantëve palestinezë. Huckabee gjatë së shtunës është takuar me palestinezo-amerikanë, përfshirë të afërm të qytetarëve amerikanë të vrarë nga kolonët izraelitë, në një qytet palestinez në Bregun Perëndimor që ka qenë shënjestër e sulmeve të kolonëve.
Vizita e tij ndodhi në kohën kur dhuna e kolonëve dhe ajo që perceptohet gjerësisht si mosveprim i qeverisë izraelite, po kritikohet gjithnjë e më shumë ndërkombëtarisht, përfshirë edhe nga aleatët më të ngushtë si Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Qeveria izraelite ka dënuar dhunën e kolonëve, megjithëse autorët rrallë arrestohen dhe madje edhe më rrallë ndiqen penalisht. Rreth 3 milionë palestinezë jetojnë në Bregun Perëndimor, me dhjetëra mijëra që vlerësohet të jenë shtetas amerikanë.
Palestinezët në Bregun Perëndimor janë përballur me rritje të dhunës së kolonëve, ndërsa liritë e tyre janë kufizuar gjithnjë e më shumë nën pushtimin ushtarak që kur koalicioni i kryeministrit Benjamin Netanyahu, erdhi në pushtet në fund të vitit 2022.
Që prej ardhjes në pushtet, qeveria izraelite ka miratuar më shumë se 100 vendbanime të reja në të gjithë Bregun Perëndimor, përfshirë 19 në pjesën veriore të tij.