Donald Trump Jr. dhe bashkëshortja e tij, Bettina, kanë konfirmuar të hënën se një oligark rus i afërt me Vladimir Putinin kishte paguar pjesërisht për festimet e dasmës së çiftit në muajin maj, pas një raporti të "ProPublica" që zbulonte se Umar Kremlev kishte shpenzuar qindra mijëra dollarë për këtë ngjarje.
Trump Jr., fëmija më i madh i presidentit amerikan, është martuar me figurën e shquar dhe modelen, në një festë luksoze treditore, të zhvilluar në dy ishuj privatë ekskluzivë.
Duke iu referuar dokumenteve dhe intervistave me tri burime anonime të njohura me detajet e ngjarjes, "ProPublica", ka raportuar se Kremlev, një anëtar i rrethit të ngushtë të presidentit rus, ka mbuluar shpenzimet për marrjen me qira të njërit prej ishujve, ku është mbajtur pritja dhe ku qëndruan të ftuarit, si dhe shpenzime të tjera të mëdha, përfshirë një shfaqje madhështore me fishekzjarrë.
Në një deklaratë të nënshkruar nga çifti dhe të publikuar në llogarinë e Bettina Trump në Instagram pas raportimit të "ProPublica"-s, ata kanë konfirmuar kontributet e Kremlevit në festime dhe i kanë cilësuar ato si "një dhuratë dasme jashtëzakonisht bujare nga një mik, dhe diçka për të cilën ishim dhe mbetemi jashtëzakonisht mirënjohës".
"Pse një oligark rus i afërt me Putinin financoi dasmën e Trump Jr. në Bahamas?" – ka shkruar në rrjetet sociale Robert Garcia, anëtari kryesor demokrat në Komisionin e Dhomës së Përfaqësuesve për Mbikëqyrjen.
Kremlev ka një marrëdhënie të gjatë me Putinin. Ai është kreu i Shoqatës Ndërkombëtare të Boksit (IBA), një organizatë sportive që është mbështetur nga kompania shtetërore ruse e energjisë, "Gazprom".

Sipas "ProPublica"-s, pagesat për dasmën erdhën nga një entitet i lidhur me IBA-në në Dubai, të cilin shoqata e boksit e përdor për transaksione financiare.
Në ditët para festës së dasmës, ai thuhet se udhëtoi drejt Kinës si pjesë e një delegacioni që shoqëronte Putinin, madje, një muaj më parë, presidenti rus i kishte akorduar një nderim shtetëror: Urdhrin e Miqësisë. Qeveria ukrainase ka vendosur sanksione ndaj Kremlevit, duke përmendur lidhjet e tij të ngushta me Putinin dhe shërbimet ruse të sigurisë.
Alexander Lagutin, një biznesmen që ka mbajtur poste të larta në një kompani ruse të kontraktuar për mbrojtjen dhe në një kompani energjetike të mbështetur nga shteti, kishte qenë gjithashtu me Kremlevin në udhëtimin në Kinë. Në dasmë ka marrë pjesë edhe krahu i djathtë i Kremlevit në IBA, Elena Sobol.
Megjithëse eventi ishte luksoz, lista e të ftuarve ishte e kufizuar dhe intime. Të pranishëm ishin vetëm rreth 50 persona, shumica e të cilëve ishin familjarë të ngushtë, miq dhe partnerë biznesi të çiftit.
Aty ishte edhe Kremlevi, i cili thuhet se nuk mori pjesë në vetë ceremoninë (ku ishin të pranishëm vetëm 18 të ftuar), por është shfaqur në festë i shoqëruar nga një grup i madh rusësh, duke shkaktuar jo pak habi te të ftuarit e tjerë.
Sipas "ProPublica", grupi shpesh qëndronte mënjanë duke folur rusisht.
Kjo ngjarje ka ngritur pikëpyetje mbi implikimet e faktit që një anëtar i rrethit të ngushtë të Putinit ofron mbështetje financiare dhe fiton një qasje kaq të afërt me familjen e presidentit amerikan.
Vitet e fundit, Trump Jr është shfaqur si një figurë kyç në fushatën e Trumpit dhe madje është përfolur si një pasardhës i mundshëm politik.