Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
BETIMI PËR DREJTËSI

Agjencia për patundshmëri: Banesat e palegalizuara po na dëmtojnë e më së shumti qytetarët

Menaxher i Përgjithshëm nga kompania për patundshmëri “Pro Real Estate”, Milot Mehmeti, ka thënë se kanë probleme me shitjen e ndërtimeve pa certifikatë të përdorimit e që janë të shumtë në numër. Kjo sipas Mehmetit, më së shumti po i dëmton qytetarët të cilët më pas nuk mund t’i shfrytëzojnë pronat e tyre për qëllimet që ata kanë.

“Po na dëmton shumë, jo vetëm neve, por edhe qytetarin, blerësin në këtë rast për shkak se nuk mund me përkthye në emër të tij. Ndoshta ka raste kur edhe nuk mundet mu bo shitblerja. Ne mundohemi me i filtru ato të cilat të paktën kanë leje edhe janë bo në shitje te noteri, por ka raste kur bashkëpunojmë me ato që kanë më pak se 3 shitje. Nëse një pronar e ka ble e ka shit prapë edhe e ka ble dikush tjetër atëherë na mundohemi me i verifiku këta persona që kanë qenë blerës edhe në këtë mënyrë e shohim nëse ata kanë pas obligime apo diçka tjetër”, ka thënë ai.

Mehmeti thotë se problemi kryesor është dokumentacioni, teksa thekson që vetëm në kompaninë e tyre kanë rreth 40% të banesave për shitje që nuk posedojnë dokumentacionin e nevojshëm, e kjo sipas tij po iu shkakton shumë probleme.

“Problemet më të mëdha janë dokumentacionet. Secili blerës do me u siguru që dokumentacioni është në rregull. Po është një prej problematikave kryesore mungesa e ligjit për pranim teknik, mungesa e ligjit të inspektorëve edhe ndoshta mungesa e ligjit për broker ose agjent të shitjes”, është shprehur ai.

Ai ka shtuar se po mundohen që t’i filtrojnë aq sa duhet këto ndërtime, por që sipas tij është mjaft problem pasi 80 deri në 90% të banesave janë pa pranim teknik.