Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
BETIMI PËR DREJTËSI

Legalizimi i ndërtimeve në Prishtinë, Komuna dhe ndërtimtarët fajësojnë njëra-tjetrën

Numri i lartë i ndërtimeve të palegalizuara në Prishtinë ka përplasur argumentet e zyrtarëve komunalë me ata të Shoqatës se Ndërtimtarëve të Kosovës.

Drejtori i Urbanizmit në Komunën e Prishtinës, Arbër Sadiki, ka thënë se shmangiet prej lejeve ndërtimore nga ana e kompanive ndërtimore e ka sjellë gjendjen aktuale të ndërtimeve të palegalizuara.

“Shmangiet prej lejes ndërtimore na kanë sjellë në këtë pozitë, ku shumicën e ndërtesave i kemi të banueshme para se me u marrë leja e përdorimit për shkak se ankohen zakonisht investitorët pse lejet e përdorimit po zgjaten. Faktikisht çdo leje e përdorimit zgjatet për shkak të devijimeve e mosrespektimit në përpikëri të procedurave”, ka thënë Sadiki, duke shtuar se komuna nuk mund të certifikojë ndërtime që nuk kanë aplikuar fare për legalizim.

Në anën tjetër, kryetari i Shoqatës së Ndërtimtarëve të Kosovës, Faton Hoxha, ka thënë se është komuna ajo që nuk po kryen inspektimin final dhe se nuk po i legalizon këto ndërtime edhe pse kompanitë kanë aplikuar.

“Prej korrikut diku 2017 deri në fund të vitit që e kam si shifër pak ma të saktë. Numra të saktë nuk kam sepse nuk ka të dhëna në uebfaqen e Komunës së Prishtinës. Kanë qenë diku rreth 179 kërkesa për inspektim final. Deri sot që po flasim mundem me gabu për nja dy. Komuna e Prishtinës ka lëshuar vetëm 39 leje të përdorimit. Pyetja ishte dashur me iu shtruar organeve kompentente”, ka thënë ai.