Komuna e Prishtinës ka thënë se ka ndërmarrë masa për rregullimin e parkingjeve private. Disa ditë pasi i mbylli disa prej tyre, komuna ka thënë se çdo parking privat duhet të aplikojë për leje të përkohshme deri në miratimin e planit të ri të mobilitetit.
Në një njoftim në Facebook, Komuna ka thënë se plani i ri do të përcaktojë standardet dhe lokacionet e lejueshme për parkim.
Ndërkohë ka bërë të ditur se nuk do të lejohen të operojnë parkingjet që:
• Kanë qasje direkte në rrugë kryesore apo udhëkryqe - që pengon qarkullimin!
• Janë të vendosura në hapësira të gjelbra dhe hapësira publike!
Sipas Komunës, qëllimi për këto ndalesa është që të ketë më shumë rend, siguri dhe mbrojtje të hapësirave publike e mjedisit.
Javën e shkuar, Komuna mbylli disa parkingje që funksiononin në qendër të qytetit. Arsyetim, sipas njoftimit, ishte se janë parkingje ilegale dhe se kanë bllokuar për vite me radhë lëvizjen e lirë.
E në një deklaratë për KOHËN të premten, zëdhënësi Donat Lushaku ka thënë se parkingjet e mbyllura disa janë ilegale e disa s’kanë infrastrukturën e kërkuar.
“Parkingjet private janë mbyllur pasi që të njëjtit nuk e kanë zbatuar rregulloren e nënshkruar më fund të vitit 2023 për parkingje, disa janë ilegale kurse disa të tjerë nuk janë pajisur infrastrukturë si ndriçim dhe shtrimin e tokës në kubëza. Derisa nuk i plotësojnë kushtet do të qëndrojnë të mbyllura. Parkingjet që të qesin në rrugën kryesore, duhet të pajisen me leje të komunës”, ka thënë Lushaku.