Basketboll

Trepçës nuk i ndihmon përkrahja e shikuesve në Gjermani

Trepça Basketboll

Numër i madh i shikuesve ishin të mërkurën mbrëma në “Volkswagen Halle” në Gjermani në përkrahje të Trepçës. Por, kjo nuk i ka mjaftuar kampiones së Kosovës që ta shmang humbjen e pestë në kuadër të Grupit F të “FIBA Europe Cup”.

Trepça u mposht nga Basketball Lowen Braunschweig me rezultatin 80:70. Në këtë kampanjë të garës, Trepçës i ka mbetur për ta zhvilluar edhe një ndeshje. Duelin me Anwilin polak do ta luajë më 19 nëntor në udhëtim, nga ora 18:30.

Çerekun e parë, vendësit e fituan 25:13, ndërsa mitrovicasit u kundërpërgjigjën në dhjetë minutat e dytë duke fituar 16:14, për të shkuar në pushim me dhjetë pikë disavantazh, 39:29. Me rezultatin 30:17 përfundoi çereku i tretë për vendësit.

Periudha e fundit ishte shumë interesante. Nisi me rezultatin 69:46 për Braunschweigun. Por ishin “xehetarët” që shkuan me seri 18:0 për ta ngushtuar rezultatin në 72:64.

Me shënimin e Grant Sherfieldit, Braunschweigu i realizoi tre pikët e para të ekipit në çerekun e fundit, 3 minuta e 49 sekonda pa u mbyllur i gjithë takimi. Vendësit u mbajtën mirë, ndonëse loja e Trepçës pati ngritje të madhe në fundin e ndeshjes që u mbyll me dhjetë pikë dallim.

Mustapha Amzil i kishte statistikat më të mira te Trepça me 18 pikë, tetë kërcime e dy asistime, kurse Drilon Hajrizi i pati 15 pikë, 11 kërcime e katër asistime. Te vendësit, Grant Sherfild i kishte 17 pikë, katër kërcime e katër asistime dhe tre topa të vjedhur.

Ndeshjen e parë, Trepça e humbi 85:74 në udhëtim te PAOK-u grek. Më pas i humbi tre duele në shtëpi, 84:70 nga Braunschweigu, 97:87 nga Anwili polak dhe 77:75 nga PAOK-u. Kjo është paraqitja e katërt e Trepçës në “FIBA Europe Cup”, por asnjëherë nuk ka arritur që ta kalojë fazën grupore.