Basketboll

Tjetër humbje për Trepçën në “FIBA Europe Cup”

tr

Kampionia e Kosovës, Trepça, e ka vazhduar serinë e humbjeve, tani në “FIBA Europe Cup”. 

Të mërkurën në palestrën “Minatori” në Mitrovicë, Trepça humbi nga Anëili polak me rezultatin 97:87. 
Për mitrovicasit ishte humbja e tretë rresht në këtë garë. Dy humbje para këtij dueli i kishte edhe Anwili. 

Polakët çerekun e parë e fituan 32:23, ndërsa “xehetarëve” u takoi çereku i dytë që përfundoi 18:12 në të mirë të tyre. 

Vendimtare në fitoren e mysafirëve ishte periudha e tretë që u mbyll 27:16, ndërsa dhjetëminutëshi i fundit përfundoi 30:26 në të mirë të Trepçës. Por, kjo nuk mjaftoi për ta shmangur humbjen. 

Mustapha Amzil dhe Jacori Payne kishin më së shumti pikë te Trepça, nga 17 secili. Amzil kontribuoi edhe me pesë kërcime e një asistim, derisa katër kërcime e dy asistime i kishte Payne. 

Në ndeshjen e parë, Trepça u mposht 85:74 nga PAOK-u në udhëtim, ndërsa ndeshjen e dytë e humbi në shtëpi 84:70 nga Braunschweigu gjerman. 

Trepça nuk është në moment të mirë, pasi dy disfata i ka pësuar edhe në Superligën e Kosovës. Të dielën u mposht nga Bashkimi i Prizrenit. 

Anwili në raundin kualifikues ishte mposhtur 80:75 në Prizren nga Bashkimi, por më pas kishte fituar 93:71 në Poloni, për të avancuar në stinorin e rregullt. Tutje kishte avancuar edhe Bashkimi, si njëra prej skuadrave më të mira humbëse. 

Në Grupin F, Trepça mbetet e fundit. Braunschweigu i prin grupit me tri fitore nga po aq ndeshje të luajtura, derisa PAOK-u i dyti ka dy fitore e humbje. 

Trepça më 5 nëntor luan ndaj PAOK-ut grek.