Trepça e Bashkimi kanë të tjera ndeshje të mërkurën. Këtë herë jo mes tyre, por në garën e njëjtë – në FIBA Europe Cup.
Të dy skuadrat e kërkojnë fitoren e parë në stinorin e rregullt të kësaj gare kontinentale.
Në kuadër të Grupit F, kampionia e Kosovës, Trepça, luan në palestrën “Minatori” me skuadrën e njohur polake, Anwil. Kjo ndeshje zhvillohet nga ora 18:30.
Në kuadër të Grupit J, Bashkimi në “Sezai Surroi” nga ora 19:00 e pret skuadrën franceze, Dijon.
Anwili, njëjtë si Trepça ka humbur dy ndeshjet e para.
Në xhiron e parë Anwili humbi 98:97 nga Braunschweigu gjerman, ndërsa Trepça humbi në Greqi nga PAOK-u me shifrat 85:74.
Edhe
Trepça e pret Braunschweigun, Bashkimi luan në Itali
Në xhiron e dytë, të mërkurën e kaluar, Trepça pësoi në shtëpi nga Braunschweigu me shifrat 84:70, kurse Anwili sërish humbi vetëm me një pikë dallim, 94:93, nga PAOK-u në Wloclawek të Polonisë.
Anwili në fakt vetëm kthehet në Kosovë. Në raundin kualifikues kishte pësuar 80:75 nga Bashkimi në Prizren. Por kishte fituar 93:71 në Poloni për të avancuar në stinorin e rregullt. Avancoi edhe Bashkimi, si njëra prej skuadrave më të mira humbëse.

Trepça nuk është në moment të mirë. Pos në FIBA Europe Cup, i ka humbur dy ndeshje edhe në Superligë. Të dielën pësoi pikërisht nga Bashkimi në “Minatori”, ndërsa në arenën e saj kishte pësuar edhe nga Peja.
Bashkimi i Prizrenit në Superligë ka tri fitore rresht. Por ka humbur dy ndeshjet në udhëtim në FIBA Europe Cup. Fillimisht pësoi nga Cibona në Zagreb me 93:79 e javën e kaluar nga Reggiana në Itali me rezultat 100:65. Dy humbje i ka edhe Dijoni. Pësoi 96:88 nga Reggiana në Francë dhe 76:73 nga Cibona në Kroaci.
Fitoret do të mbanin në garë për avancim tutje si Trepçën ashtu edhe Bashkimin. Me humbje të dy skuadrat thuajse do të eliminoheshin.
Në raundin e dytë avancojnë skuadrat që i fitojnë dhjetë grupet dhe po ashtu gjashtë skuadrat më të mira prej dhjetë grupeve sa janë gjithsej.
Edhe
Trepça e Bashkimi me synime të mëdha në FIBA Europe Cup
Trepça ka disa ndeshje rresht që luan para tifozëve të saj. Por palestra “Minatori” nuk po mbushet përplot si në edicionet e kaluara. Në klubin “xehetar” shpresojnë që kjo të ndryshojë shpejt. Një fitore ndaj Anwilit polak do të mund të ndikonte në kthimin e entuziazmit.
Bashkimi ndërkohë shpreson të shfrytëzojë ecurinë e mirë në kampionat për ta mbushur palestrën “Sezai Surroi” për ndeshjen e vështirë me skuadrën franceze.