Basketboll

Trepça e Bashkimi me synime të mëdha në FIBA Europe Cup

KB Trepca

Kampionia e Kosovës në basketboll, Trepça, vitin e kaluar i kishte humbur të gjitha gjashtë ndeshjet në fazën grupore të FIBA Europe Cup. Por te skuadra nga Mitrovica për këtë edicion kanë synime të mëdha në FIBA Europe Cup. Synojnë ta kalojnë me sukses fazën grupore të FIBA Europe Cup, garë në të cilën për herë të parë do të paraqitet nënkampioni Bashkimi.

Edhe te Bashkimi synojnë të arrijnë sa më shumë rezultate pozitive.

Përkundër disfatës së thellë të mërkurën mbrëma, Bashkimi avancoi në fazën grupore.

Bashkimi e kishte fituar 80:75 ndeshjen e parë me Anwilin polak. Por të mërkurën mbrëma në Poloni humbi 93:71. Por Bashkimi është prej tri skuadrave më të mira “humbëse”, që do të garojë në stinorin e rregullt të FIBA Europe Cup.

Basketbollisti Drilon Hajrizi ka thënë se për Trepçën synimet janë të qarta.

“Duke marrë parasysh që Trepça për synim kishte kalimin tutje në Champions, tregon që synojmë t’i kalojmë grupet në FIBA Europe Cup. Nëse i shohim kundërshtarët që i kemi në grup, me përgjegjësi të plotë them se është njëri prej grupeve më të vështira ndonjëherë për ndonjë skuadër të Kosovës që ka garuar në gara ndërkombëtare. Trepça ka ekip cilësor, por na duhet kohë për t’u komponuar. Besoj se shpejt do ta shohim ekipin duke shkëlqyer, pasi me punën që po bëhet dhe ekipin që kemi do të kemi rezultate të mëdha”, ka thënë Hajrizi për KOHËN të enjten.

Në edicionin 2022/2023 u ndalën në raundin kualifikues të FIBA Europe Cup, që është nivel më i ulët se Championsi.

Në edicionin 2023/2024, Trepça i eliminoi dy kundërshtarë në raundin kualifikues dhe luajti në stinorin e rregullt të FIBA Europe Cup. E kishte një fitore e tri humbje dhe nuk avancoi.

Vitin e kaluar pas eliminimit nga Championsi vazhdoi në fazën grupore të FIBA Europe Cup. I humbi të gjitha gjashtë ndeshjet.

Trepça është në grupin F me Anwilin e Polonisë, PAOK-un e Greqisë dhe Braunschweigun e Gjermanisë. Në fazën grupore paraqitet pas eliminimit nga Championsi. FIBA Europe Cup është nivel më i ulët se Championsi.

Trepça ndeshjen e parë e luan më 15 tetor ndaj PAOK-ut në udhëtim. Më 22 tetor e pret Braunschweigun. Në Mitrovicë e luan pas shtatë ditësh edhe ndeshjen ndaj Anwilit. Ndërkohë më 5 nëntor në “Minatorin” e zjarrtë do ta presë po ashtu edhe PAOK-un.

Më 12 dhe 19 nëntor i luan në udhëtim dy ndeshjet e fundit të fazës grupore ndaj Braunschweigut, përkatësisht Anwilit.

“Në këtë grup ekipi nga Gjermania është me kualitetin më të mirë, por nuk duhet lënë anash edhe PAOK-un e po ashtu edhe Anwilin, i cili ka qenë kampion i kësaj gare. Kemi të bëjmë me ekipe shumë cilësore, por ne synojmë rezultate pozitive, sidomos në Minatori”, është shprehur Hajrizi.

Bashkimi do të ketë punë në grupin J me Dijon Basketin e Francës, Pallacanestro Reggianan e Italisë dhe Cibonën e Kroacisë.

“Kemi njohuri për kundërshtarët. Janë ekipe të mëdha dhe me traditë në basketboll. Është një grup i vështirë me ndeshje të vështira. Do të jetë i vështirë objektivi për të kaluar grupin. Do të jetë një detyrë e vështirë, por do të mundohemi të paraqitemi sa më pozitivisht në këtë aspekt. Synimet e klubit gjithsesi mbeten të qarta. Synojmë të jemi në garë për çdo trofe të mundshëm me shpresë që të kemi rezultate pozitive”, ka thënë basketbollisti i Bashkimit, Lejson Zeqiri.

Bashkimi rrugëtimin në fazën grupore e nis në Prizren kundër skuadrës së madhe kroate, Cibona.
Ndeshja luhet më 15 tetor, kurse më 22 tetor, Bashkimi përballet me Pallacanestro Reggiana në udhëtim. E pret pastaj Dijonin më 29 tetor.

Më 4 nëntor luhet Cibona-Bashkimi, 12 nëntor Bashkimi-Pallacanestro Reggiana dhe 18 nëntor Dijon-Bashkimi.