Basketboll

Trepça mbyll garimin me tjetër humbje në “FIBA Europe Cup”

Trepça

Kampionia e Kosovës në basketboll, Trepça, e ka mbyllur të mërkurën garimin e këtij edicioni në “FIBA Europe Cup” edhe me një tjetër humbje. 

Pas gjashtë ndeshjeve të luajtura në Grupin F, Trepça i ka të gjitha humbje. Humbjen e fundit në grup e pësoi nga Anwili polak, 96:78. Në grup me Trepçën ishin edhe Braunschweigu gjerman dhe PAOK-u grek. 

Epërsinë më të lartë vendësit e kishin edhe deri në 24 pikë. Çerekun e parë dhe të dytë, Anwili i fitoi 21:17 dhe 32:19, ndërsa pjesa e parë u mbyll 53:36. 

Mitrovicasit e fituan vetëm periudhën e tretë 22:21, ndërsa dhjetë minutat e fundit i takuan vendësve po ashtu, pasi i fituan ato 22:20. Chad Brown i kishte statistikat më të mira te Trepça me 19 pikë, gjashtë kërcime e dy asistime. 18 pikë i shënoi JaCori Payne ndërsa Mikaile Tmushiq i pati 17 pikë.

Kampionia e kthen vëmendjen në Superligën e Kosovës, në të cilën po ashtu nuk e ka formën e sezonit të kaluar. Në pesë ndeshjet e para, Trepça ka tri fitore e dy humbje.