Trepça e ka mposhtur Sigal Prishtinën në derbin e xhiros së shtatë të Superligës së Kosovës në basketboll.
Të dielën mbrëma në Pallatin e Rinisë në Prishtinë, Trepça fitoi me rezultat 80:75.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoSkuadra mitrovicase ka mbajtur epërsi thuajse gjatë gjithë kohës. Madje për kohë të gjatë ka mbajtur epërsi të lartë, që në një moment ishte 19 pikë.
Por Prishtina nuk u dorëzua dhe në fund madje kaloi në avantazh. Një minutë e 14 sekonda para fundit, Adrio Bailey me ngulitje të bukur e kaloi në epërsi 75:74 Prishtinën. Por më pas Ja’cori Payne shënoi për epërsinë 76:75 të mysafirëve. Pasoi një sulm i pasuksesshëm i Prishtinës, ndërsa Payne shënoi edhe dy gjuajtje të lira për epërsinë 78:75.
Prishtina i kishte edhe dy sulme tjera të pasuksesshme në vazhdim dhe trajneri i saj u ndëshkua me gabim teknik për shkak të reagimit. Dhe Drilon Hajrizi e Mikaile Tmushiq me nga një gjuajtje të lirë e konfirmuan fitoren 80:75.
Chad Brown dha kontributin më të madh te Trepça, sipas të dhënave statistikore. Ai i realizoi 11 pikë e plot 16 kërcime. I kishte edhe tri asistime. Ja’cori Payne e përfundoi ndeshjen me 23 pikë, dy kërcime e dy asistime. Mustapha Amzil i kishte 10 pikë e 10 kërcime.
Drilon Hajrizi e ndihmoi fitoren me 11 pikë, ndërsa Mikaile Tmushiq me 14 pikë e katër kërcime.
Te Prishtina më i miri ishte Deondre Burns me 20 pikë, katër kërcime e pesë asistime. Adrio Bailey i kishte 25 pikë. Dion Haxhosaj i realizoi 10 pikë e pesë kërcime.
Kampionia në fuqi, Trepça, tani i ka katër fitore e dy humbje. E ka një ndeshje më pak të luajtur. Prishtina mbetet me katër fitore, ndërsa e pësoi humbjen e tretë.