Cibona e Zagrebit është njëra prej skuadrave më të famshme të regjionit në basketboll. Por Cibona ka disa vjet që nuk e ka forcën për të cilën ishte e njohur dikur.
Megjithatë skuadra kroate vlerësohet favorite ndaj Bashkimit të Prizrenit, nënkampionit të Kosovës.
Cibona e Bashkimi përballen të enjten nga ora 18:30 në arenën “Drazhen Petroviq” në Zagreb. Ndeshja i takon xhiros së parë të stinorit të rregullt në FIBA Europe Cup.
Cibona është kthyer në gara evropiane pas tetë vjetësh, ndërsa Bashkimi po garon për herë të parë në nivel kontinental.
Te Cibona megjithatë flasin me respekt për ekipin kosovar.
“Lojtarët tanë janë të gatshëm, shumë të motivuar. Luajmë me një ekip shumë të mirë që përbëhet nga të huaj me përvojë dhe një grup i lojtarëve vendorë me karakter. Por besojmë se do të bëjmë hap para, sidomos në fazën e mbrojtjes dhe do të kemi paraqitje të mirë në nismë të garës”, ka thënë të mërkurën trajneri i Cibonës, Ivan Rudezh.
Sipas tij, “Bashkimi luan basketboll të shpejtë, së kombinuar me lirinë e amerikanëve. Mundohet të luajë lojë ekipore”.
Ai nuk pret ndeshje të lehtë, ndërsa e ka mohuar mundësinë që të nënçmohet skuadra kosovare.
Rudezh ka lavdëruar trajnerin e Bashkimit, Igor Jovoviq.
“Kundërshtari sigurisht do të jetë i gatshëm dhe shumë i motivuar. Ekipet nga Kosova që fillojnë të luajnë në Evropë përfshihen nga euforia. Pronari dhe komuna kanë investuar shumë në këtë ekip. Kanë ambicie të mëdha, nuk do të jetë të lehtë, nuk guxojmë të mashtrohemi nga liga që vjen Bashkimi dhe asessi nuk guxojmë ta nënçmojmë kundërshtarin”, ka shtuar trajneri i Cibonës.
Cibona është dashur të paraqitet në nivelin e dytë të Ligës ABA, që është ligë regjionale. Por ka hequr dorë në momentin e fundit. Në edicionin e kaluar nuk ia doli të sigurojë mbetjen në Ligën ABA 1.
Në kampionatin kroat, gjiganti zagrebas ka fituar dy ndeshjet e fundit, ndërsa të parën e humbi nga Zara.
Ndërkohë në raundin kualifikues të FIBA Europe Cup me shumë mund e eliminoi Prievidzan e Sllovakisë.
Bashkimi në raundin kualifikues u përball në dy ndeshje me Anëilin polak. Anëili avancoi si fitues, por edhe Bashkimi kaloi në stinorin e rregullt si njëri prej ekipeve më të mira humbëse.
Prizrenasit të mërkurën udhëtuan për në Zagreb.
“Udhëtojmë drejt Kroacisë me besim dhe energji pozitive, të motivuar për të dhënë më të mirën në parket”, ka shkruar Bashkimi.
Në grup me Bashkimin e Cibonën janë edhe Dijoni francez dhe Reggiana e Italisë.
Në FIBA Europe Cup po garon edhe Trepça.