Basketboll

Bashkimi i trimëruar e pret Reggianan, Trepça në Gjermani

FIBA

Fitorja bindëse ndaj Cibonës ka mbajtur Bashkimin në garë për kalim të grupit në FIBA Europe Cup.

Dhe prizrenasit, të trimëruar nga fitorja ndaj skuadrës së njohur kroate, do ta kërkojnë suksesin edhe ndaj skuadrës italiane, Reggiana.

Ndeshja Bashkimi – Reggiana zhvillohet të mërkurën prej orës 19:00 në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren. I takon xhiros së parafundit të stinorit të rregullt në FIBA Europe Cup. 

Bashkimi mbajti shpresat gjallë me fitoren e javës së kaluar në Prizren ndaj Cibonës, 89:69. Prizrenasit i kanë humbur tri ndeshjet e para të fazës grupore, në pjesëmarrjen debutuese në gara evropiane. Në Itali e kanë pësuar humbjen më të thellë, 100:65.

Me tjetër fitore, Bashkimi do të bënte që fati i kualifikimit të vendosej në xhiron e fundit. Më 18 nëntor prizrenasit luajnë në Francë ndaj Dijonit.

Bashkimi është në moment shumë të mirë. Ka rreshtuar pesë fitore në Superligë. Të dielën në Prizren e mposhti Golden Eagle Yllin me rezultat 74:64. Pesë fitore në Superligë i ka vetëm edhe Peja. 

Në skuadrën e portokalltë janë të përkushtuar ta fitojnë titullin e kampionit të Kosovës, por edhe që të kenë sa më shumë fitore në Evropë.

Bashkimi të hënën shtoi edhe një vendor me përvojë në përbërje. Bëhet fjalë për Muhamedali Janjevën, që shumicën e karrierës e ka kaluar te Prishtina.

Të mërkurën ndeshje evropiane luan edhe Trepça. Kampionia aktuale e Kosovës tashmë është pa gjasa për të avancuar nga Grupi F i FIBA Europe Cup. Ka humbur katër ndeshjet e deritashme dhe nuk mund të dalë në dy vendet e para. Vendi i parë garanton avancimin, ndërsa kalimi tutje është i mundshëm edhe prej vendit të dytë në grup.

Trepça nga ora 18:30 luan në Gjermani me skuadrën Braunschweig. Gara në Grupin F është e fortë, por pa Trepçën pjesë të saj. Braunschweigu dhe PAOK-u kanë nga shtatë pikë, Anwili gjashtë e Trepça katër.

Më 19 nëntor mitrovicasit luajnë në Poloni me Anwilin, ndërsa fokusin gradualisht do ta kthejnë në garën për titull të kampionit të Kosovës. Mitrovicasit nuk kanë nisur mirë as në kampionat. Kanë dy fitore e dy humbje, ndërsa në fundjavë nuk e luajtën ndeshjen me Borën për shkak të palestrave të zëna.