Basketboll

Pas dominimit në Kosovë, Trepça synon sukses në Evropë

KB Trepça

Trepça ka arritur shumëçka brenda dy vjetëve të fundit në basketbollin kosovar. Fitoi të gjithë trofetë e mundshëm në Kosovë.

Në shtator të vitit të kaluar fitoi Superkupën e Kosovës, ndërsa në shkurt të këtij viti fitoi Kupën e Kosovës.

Të mërkurën festoi titullin e dytë rresht dhe të gjashtin në histori. Trepça përveç këtij edicioni dhe vitit të kaluar, titullin e fitoi edhe në vitet 1993, 2000, 2001 dhe 2012.

Dhe pas dominimit në vitet e fundit në basketbollin kosovar, Trepça synon suksesin edhe në garat evropiane.

Edicionin e kaluar Trepça kaloi kundërshtarin e parë në kualifikimet e Ligës së Kampionëve, Keravnosin e Qipros. U ndal në gjysmëfinale të raundit kualifikues të Championsit dhe vazhdoi në FIBA Europe Cup, ku, megjithatë, i humbi të gjitha ndeshjet.

“Tash e tutje synimi kyç për ne është suksesi në Evropë. Do të përgatitemi qysh tash për një sukses në garat ndërkombëtare”, ka thënë Drilon Hajrizi për KOHËN të enjten.

Trepça të mërkurën mbrëma, në palestrën “Minatori” të stërmbushur me shikues, mposhti Bashkimin 82:67. Në finale të plejofit, mitrovicasit triumfuan 4:2 ndaj Bashkimit të Prizrenit.

Hajrizi, që është prej më të mirëve për kohë të gjatë në basketbollin kosovar, ka dhënë kontribut të madh në sukseset e Trepçës.

Ai thekson se triumfi në kampionat, është gjëja më e rëndësishme për një basketbollit.

“Ka qenë shumë i rëndësishëm ky sukses. Si çdo kampionat, gjëja më e rëndësishme është ta fitosh titullin e kampionit. Është diçka e madhe për mua që kemi arritur të gëzojmë një qytet dhe tash do të mobilizohemi të arrijmë suksese të tjera”, ka thënë Hajrizi.

Me paraqitje të mira në klubin më të mirë për vitin 2024 në basketboll u dallua edhe Mikaile Tmushiq.

Tmushiq vlerëson organizimin e mirë të klubit mitrovicas.

“Nga fillimi i sezonit i kemi pasur synimet e qarta për të fituar çdo ndeshje dhe trofe të mundshëm. Nuk ka qenë e lehtë marrë parasysh edhe forcën e kundërshtarëve, por kemi treguar karakter fituesi gjatë gjithë kohës dhe jemi shumë të gëzuar që e kemi bërë një qytet të lumtur me suksesin e arritur këtë sezon, e sidomos tifogrupin tonë ‘Torcida’. Çelësi i suksesit mund të them se ka qenë organizimi fantastik i kryesisë, që është për t’u marrë shembull, trajnerët, lojtarët, tifozët dhe i gjithë qyteti. Mendoj se të gjitha këto kanë qenë në proporcion dhe e shoh si pikë të fortë te ne. Falë këtyre arritëm të shpalleshim kampion”, ka thënë Tmushiq.

Suksese të tjera pret edhe drejtori i klubit, Izet Tahiri.

“Duke pasur parasysh këtë bazë, objektivi ynë i radhës është prezantimi i denjë në garat ndërkombëtare. Po punojmë që të përgatitemi në mënyrë të përgjegjshme për pjesëmarrjen në FIBA Europe Cup apo Basketball Champions League, me synimin që të përfaqësojmë jo vetëm klubin, por edhe basketbollin kosovar në mënyrën më profesionale të mundshme. Për ne pjesëmarrja jashtë kufijve është një hap i natyrshëm në rrugën që kemi ndërtuar dhe një mundësi për të konfirmuar seriozitetin me të cilin operon KB Trepça”, ka thënë Tahiri.

Tahiri thotë se rezultatet e edicionit aktual japin shpresë për sukses edhe në Evropë.

“Rezultatet e arritura gjatë këtij sezoni janë dëshmi e një pune të qëndrueshme në të gjitha nivelet e klubit. Dominimi në garat vendore reflekton një qasje të organizuar dhe serioze, ku secili hallkë ka funksionuar në përputhje me standardet që kemi vendosur si klub. Ky sukses është ndërtuar mbi stabilitet, planifikim afatgjatë dhe bashkëpunim të ngushtë ndërmjet drejtuesve të klubit, shtabit teknik dhe lojtarëve. Kemi arritur të krijojmë një strukturë të shëndoshë që nuk synon vetëm suksesin momental, por vazhdimësinë dhe zhvillimin e mëtejshëm të klubit”, ka theksuar Tahiri.