Bashkimi ishte ekipi më i mirë i stinorit të rregullt në Superligën e Kosovës në basketboll. I kishte 20 fitore e tetë humbje. Menjëherë pas Bashkimit ishte Trepça me 19 fitore e nëntë disfata. Të dy ekipet e nisën fazën e plejofit nga gjysmëfinalja dhe ashtu si pritej u kualifikuan në finale. Si Bashkimi ashtu edhe Trepça serinë gjysmëfinale e fituan me rezultat 3:1. Bashkimi e eliminoi Pejën, derisa Trepça ishte më e mirë se Sigal Prishtina.
Si prizrenasit ashtu edhe mitrovicasit tani fokusin e kanë te ndeshjet finale të plejofit. Serinë finale të plejofit të elitës së basketbollit kosovar e nisin të dielën nga ora 19:00 në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren që do të jetë pa shikues.
Skuadra që shënon katër fitore e fiton titullin. Trepça ka dominuar në edicionin e kaluar duke i fituar gjithë trofetë. Dominimin e vazhdoi edhe në këtë edicion duke e fituar Superkupën dhe Kupën e Kosovës. Në finale të Superkupës fitoi ndaj Sigal Prishtinës, ndërsa në Kupë e mposhti Bashkimin. Kapiteni i “portokallezinjve”, Altin Morina, e di se Trepça ka skuadër me përvojë dhe e vlerëson shumë.
Për Trepçën është finalja e katërt rresht. I humbi dy nga Golden Eagle Ylli dhe Peja, ndërsa vitin e kaluar triumfoi ndaj Yllit.
“Të gjithë e dimë që Trepça në katër vjetët e fundit është finaliste dhe mund të shihet si favorite. Mirëpo, në këtë rast, përparësi e jona është terreni dhe që janë gjithsej shtatë ndeshje apo katër fitore. Shpresoj që kjo finale të jetë si duhet, siç e meritojnë sportdashësit e Kosovës, pasi finalet janë të veçanta dhe janë krejtësisht ndryshe nga lojërat e tjera sezonale”, ka thënë fundori Morina të shtunën për KOHËN.
Bashkimi e synon titullin e dytë në histori, të parin pas shtatë vjetësh. E fitoi në edicionin 2017/18, ndërsa në dy raste në të kaluarën ishte mposhtur nga Sigal Prishtina në finale, në edicionet 2008/09 dhe 2016/17.
Në finalen e parë Bashkimi nuk do ta ketë përkrahjen e tifozëve për shkak të dënimit që iu shqiptua pas përleshjes së zyrtarëve të klubit me pjesëtarët e sigurimit. Incidenti ndodhi në ndeshjen e fundit ndaj Pejës në Prizren.
Morina thotë se do të luajnë për “Arpagjikët”, përkrahja e të cilëve ka qenë e madhe për skuadrën në këtë edicion.
“Gjithë emocionet e finales janë ndryshe. Por, duke pasur parasysh që ekipi veçse është duke kaluar në formë të mirë, shpresoj të vazhdojmë me rezultate të mira. Edhe pse ndeshja e parë zhvillohet pa shikuesit tanë, që rrallë ndodh që finalet të zhvillohen pa shikues, ne do të kemi një arsye dhe motivim që të luftojmë për ta, t’ua kthejmë atë që e kanë bërë gjithë sezonin për ne”, ka theksuar Morina.
Njëri prej lojtarëve më të mirë vendorë tash e shumë vjet, Drilon Hajrizi i Trepçës, pret lojë të fortë ndaj Bashkimit. Marrë parasysh formën që po e kalon Trepça, Hajrizi beson se në fund mund të dalin fitues të kampionatit.
“Ndeshja e parë është në terrenin e Bashkimit. Aty stërviten rregullisht. Normalisht se Bashkimi ka më shumë përparësi se ne. Por, ne do të mundohemi ta shfrytëzojmë mospraninë e shikuesve në mënyrë pozitive”, ka thënë Hajrizi.
Megjithatë, Hajrizi e pranon se do të jetë e vështirë.
“Normalisht që përparësia e terrenit vendës për Bashkimin do të thotë shumë. Padyshim se do të jetë shumë vështirë për ne. Por jemi duke u munduar që maksimalisht të përgatitemi, t’i përdorim ato përparësitë tona që i kemi dhe të dalim me rezultat pozitiv. Shpresoj shumë që nëse luajmë dhe angazhohemi maksimalisht, luajmë si skuadër, siç kemi luajtur kohën e fundit, do të arrijmë të dalim me rezultat të kënaqshëm”, ka deklaruar 34-vjeçari.
Bashkimi dhe Trepça kanë zhvilluar katër ndeshje në stinorin e rregullt në Superligë. Të dyja i fituan ndeshjet si vendëse, ndërsa “xehetarët” ishin më të suksesshëm edhe në finale të Kupës.
Trepça është në kërkim të titullit të gjashtë. Përveç në edicionin e kaluar, mitrovicasit fituan edhe në vitet 1993, 2000, 2001 dhe 2012.