Bashkimi e fitoi ndeshjen e parë të serisë finale të plejofit në Superligën e Kosovës në basketboll.
Të dielën në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren, Bashkimi e mposhti Trepçën me rezultatin 84:77, në ndeshjen të cilën e dominoi për kohë të gjatë. Por finalja e parë nuk ishte e zakonshme, përkatësisht nuk e kishte “zjarrin” e zakonshëm. Ndeshja e së dielës është zhvilluar pa praninë e shikuesve. “Zhurma” e vetme ishte ajo e trajnerëve që këshillonin lojtarët dhe e pak zyrtarëve nga të dy klubet që ishin në palestër.
Bashkimi ishte dënuar me zhvillimin e një ndeshje pa praninë e shikuesve për shkak të një incidenti të rëndë që kishte ndodhur në ndeshjen e fundit çerekfinale në Prizren ndaj skuadrës së Pejës. Pak para fundit, kishte ndodhur një rrahje e drejtuesve të klubit prizrenas me pjesëtarë të sigurimit privat. Ishin shkëmbyer grushte, ndërsa në parket u krijua një tollovi. Fillimisht Bashkimi u dënua me tri ndeshje pa shikues, por ndërkohë dënimi iu zvogëlua në një ndeshje pa shikues.
Qindra tifozë prizrenas ndeshjen e kishin përcjellë përmes një ekrani gjigant. Pas ndeshjes ata kanë hyrë në palestër dhe kanë festuar bashkë me lojtarët.
Nuk ka dyshime që palestra “Sezai Surroi” do të ishte e stërmbushur me shikues nëse Bashkimi nuk do të ishte i dënuar.
Nuk ka dilema po ashtu që palestra “Minatori” në Mitrovicë do të jetë plot me shikues të mërkurën prej orës 19:00, kur zhvillohet finalja e dytë.
Interesimi si në Prizren ashtu edhe në Mitrovicë është shumë i madh për ndeshjet finale. Kështu që palestrat pritet të jenë të stërmbushura nga e mërkura e deri në ndeshjen e fundit.
Kampion shpallet ekipi që i shënon katër fitore. Në Prizren ndeshjet janë të dielën e në Mitrovicë të mërkurën. Ndeshja e shtatë eventuale do të luhet në Prizren, për shkak se Bashkimi ishte më lart se Trepça në tabelë në pjesën e rregullt të edicionit.
Te të dy skuadrat përkrahjen e tifozëve e vlerësojnë shumë të rëndësishme.
“Tifozët në Mitrovicë janë të shkëlqyer dhe ndihmojnë shumë. Është një nga mjediset më të favorshme për të luajtur. Na kanë ndihmuar shumë dhe njëjtë presim të jetë deri në ndeshjen e fundit”, ka thënë basketbollisti amerikan i Trepçës, Tekele Cotton.
“Deri në finale kemi shfrytëzuar atmosferën e zjarrtë në palestrën tonë. Shpresojmë që këtë avantazh ta shfrytëzojmë edhe në ndeshjet e ardhshme finale”, ka thënë trajneri i Bashkimit, kroati Sasha Jankoviq.
Trepça është kampione fuqi dhe po e kërkon titullin e gjashtë të kampionit të Kosovës. Këtë edicion tashmë ka fituar Kupën dhe Superkupën, ndërsa në edicionin e kaluar i mblodhi gjitha trofetë.
Bashkimi po e kërkon titullin e dytë. Të parin e fitoi në vitin 2018.