Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Auto

Zjarri në fabrikën e Teslas në Berlin merr kahe tjetër, dyshohet për sulm terrorist

Prokuroria Federale e Gjermanisë ka marrë përsipër hetimin për zjarrin që shkaktoi ndërprerjen e energjisë elektrike në fabrikën e kompanisë së veturave elektrike, Tesla, në Berlin, shkruan AP.

Zëdhënësja e Prokurorisë gjermane ka thënë se ekziston dyshimi fillestar se një organizatë terroriste mund të jetë përfshirë në sulm. Në raste të tilla, zyra e prokurorit federal, agjencia më e lartë e zbatimit të ligjit në Gjermani, është përgjegjëse për hetimin.

Të martën, prodhimi në fabrikën e veturave elektrike të Teslas në kryeqytetin gjerman u ndal dhe punëtorët u evakuuan pas ndërprerjes së energjisë që zyrtarët dyshuan se ishte shkaktuar nga zjarrvënia. Mijëra banorë u prekën gjithashtu nga zjarrvënia në një trafo elektrike.

Autoritetet në shtetin e Brandenburgut, ku ndodhet fabrika, kanë thënë se persona të paidentifikuar dyshohej se i vunë zjarrin qëllimisht një linje transmetimi të tensionit të lartë në një shtyllë elektrike.

Një organizatë e së majtës ekstreme e quajtur “Volcano Group” e ka marrë përgjegjësinë për sulmin dhe akuzoi Teslan për “prishje të ambientit” e “keqtrajtim të punëtorëve”.

Policia beson se letra është e vërtetë dhe është në kërkim të dëshmitarëve që mund të japin informacion për ngjarjen dhe të dyshuarit e mundshëm.

Ndërsa energjia elektrike për banorët është kthyer, fabrika e Teslas është ende pa të. Kompania ka thënë se i është shkaktuar miliona euro dëm. Deri në fund të javës së ardhshme pritet të mos ketë energji në fabrikën e Teslas.

Edhe Fabrika gjermane e Teslas rifillon punën javën e ardhshme Auto Fabrika gjermane e Teslas rifillon punën javën e ardhshme

Tesla hapi fabrikën në Berlin në mars 2022, duke sfiduar prodhuesit gjermanë të automjeteve “në shtëpinë e tyre”.

Rreth 12.500 njerëz punojnë në fabrikë.