Prodhuesi amerikan i automjeteve, Tesla, do të përballet në gjykatë me akuzat se ka lejuar diskriminim dhe ngacmime racore ndaj punëtorëve me ngjyrë në fabrikën e saj në Fremont të Kalifornisë.
Çështja, e ngritur nga autoritetet shtetërore, është një nga proceset më të rëndësishme të viteve të fundit kundër një kompanie të madhe amerikane për diskriminim në vendin e punës, raportoi të mërkurën Reuters.
Tesla përballet me një proces gjyqësor në Kaliforni lidhur me akuzat për diskriminim racor ndaj punëtorëve me ngjyrë në një prej fabrikave kryesore të kompanisë.
Departamenti i të Drejtave Civile i Kalifornisë e ka paditur kompaninë duke pretenduar se në fabrikën e Teslas në Fremont punëtorët me ngjyrë janë përballur për vite me një mjedis pune të karakterizuar nga ngacmimet dhe diskriminimi racor.
Procesi gjyqësor zhvillohet në Oakland para gjyqtarit të Gjykatës së Lartë të Kalifornisë, Peter Borkon. Seanca është planifikuar të vazhdojë deri më 30 tetor.
Padia, e ngritur në vitin 2022, pretendon se punëtorët me ngjyrë në fabrikën e Fremontit janë përballur me ngacmime të përsëritura nga kolegët e tyre, përfshirë përdorimin e fyerjeve raciste dhe grafiteve me përmbajtje raciste.
Sipas autoriteteve të Kalifornisë, Tesla nuk ka marrë masat e nevojshme për ta parandaluar ose ndaluar këtë sjellje.
Padia përmban gjithashtu akuza se punëtorët me ngjyrë paguheshin më pak dhe kishin më pak mundësi për t'u promovuar.
Autoritetet pretendojnë se problemi nuk kufizohej vetëm te sjellja individuale e disa punonjësve, por se diskriminimi ishte i përhapur në mënyrën se si funksiononte fabrika.
Tesla i ka mohuar akuzat për shkelje. Kompania ka deklaruar se nuk toleron diskriminimin dhe se ka pushuar nga puna punonjësit që ishin përgjegjës për sjellje të papërshtatshme.
Nëse Tesla shpallet përgjegjëse, kompania mund të përballet me një detyrim financiar prej miliona dollarësh.
Gjatë dekadës së fundit, kompania është përballur me pretendime se në fabrikën e Fremontit dhe në objekte të tjera ka ekzistuar një klimë armiqësore ndaj punëtorëve me ngjyrë.
Departamenti amerikan i Mundësive të Barabarta në Punësim, EEOC, ka ngritur gjithashtu një padi kundër Teslas lidhur me pretendimet për ngacmime racore.