Kriza aktuale që po prek industrinë evropiane të automobilave po cilësohet kërcënim për të ardhmen ekonomike të Evropës. A do të ofrojë zgjidhje samiti midis sektorit të automobilave dhe Ursula von der Leyenit të premten?
Industria e automjeteve në Evropë është “në rrezik vdekjeprurës”, tha disa muaj më parë shefi i industrisë së BE-së, Stéphane Séjourné, raportoi “Euronews”.
Shitjet e ngadalta, çmimet e larta të energjisë, konkurrenca globale në rritje dhe një mjedis rregullator e tregtar i pasigurt e kanë zhytur sektorin në krizë.
“Ekziston rreziku që harta e ardhshme e industrisë globale të makinave të vizatohet pa Evropën”, pati thënë Séjourné në prill.
Për të përballuar sfidat më urgjente të sektorit, Presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen, do të presë drejtuesit më të lartë të industrisë së makinave në Bruksel të premten.
Është takimi i tretë dhe i fundit i krizës së këtij lloji këtë vit, pjesë e asaj që Komisioni e ka quajtur “Dialogu Strategjik mbi të Ardhmen e Industrisë së Automobilave”.
Aktualisht, pjesa e tregut të automjeteve elektrike me bateri në Evropë stagnon në rreth 15% - jo e mjaftueshme për përparim të një teknologjie që konsiderohet vendimtare për të ardhmen.