Industria evropiane e veturave për tregun masiv po përballet me presion të madh nga konkurrenca kineze dhe ndryshimet në treg, ka deklaruar të martën drejtori ekzekutiv i Volkswagenit, Oliver Blume, duke bërë thirrje për rregullore më fleksibile dhe stimuj për të mbështetur prodhimin vendor.
Blume ka thënë se Volkswagen, Stellantis dhe Renault, të cilat së bashku përbëjnë më shumë se 60 për qind të prodhimit evropian të veturave, po përballen me presion në rritje për të prodhuar vetura elektrike të përballueshme, raportoi Reuters.
“Ne nuk mund ta ndërtojmë të ardhmen tonë vetëm mbi fitimet nga eksporti. Bizneset tona evropiane duhet të jenë fitimprurëse, të qëndrueshme dhe konkurruese”, ka thënë Blume.
Ai po përpiqet të zbatojë ristrukturimin më të madh në historinë e Volkswagenit, i cili përfshin shkurtimin e dhjetëra mijëra vendeve të punës dhe mundësinë e mbylljes së fabrikave, përballë kundërshtimit të sindikatave.
“Ne duhet ta sigurojmë bazën industriale të Evropës”, ka theksuar Blume.
Volkswagen, Stellantis dhe Renault po e shfrytëzojnë panairin për të prezantuar modele të reja të veturave elektrike, në një kohë kur kërkesa evropiane për këtë teknologji po rritet, e ndihmuar nga çmimet më të larta të karburanteve dhe zgjerimi i ofertës së automjeteve me kosto më të ulët.
Edhe markat kineze janë të pranishme në panair në numër rekord, teksa synojnë të zgjerohen në tregun evropian për shkak të ngadalësimit të tregut të tyre vendas. Kjo po shton shqetësimet e prodhuesve evropianë për ndikimin e importeve me çmime të ulëta.
“Ky model biznesi është nën presion të jashtëzakonshëm në Evropë”, tha Blume, duke përsëritur thirrjen e Volkswagenit drejtuar politikëbërësve për të mbështetur industrinë përmes rregulloreve më fleksibile dhe stimujve për prodhimin vendor.