Zjarrfikësit në Prishtinë po përballen me vështirësi të shumta për të arritur në vendin e ngjarjes, shkaku i komunikacionit të ngarkuar apo edhe rrugëve të ngushta.
Shpesh problem kanë edhe në gjetjen e adresave të sakta, e thonë se po të pajiseshin automjetet me GPS do t’ua lehtësonte punën.
Behar Shala, që është pjesë e stacionit të zjarrfikësve në lagjen “Emshir”, ka thënë se çdo lagje e Prishtinës i ka sfidat e veta.
“Çdo lagje i ka ngushticat. Me të marrë informatën ne shikojmë mundësinë e arritjes sa më shpejt te destinacioni ku po ndodh zjarri e të mos humbim kohë. Ka raste kur zjarri nuk është i madh dhe dërgojmë automjete me të vogla. Por nëse është më i madh shkojmë me automjete më të mëdha e nëse bllokohemi diku afër zjarrit atëherë na del punë të shtrijmë tuba për të arritur deri te zjarri e ta fikim. Për ne koha është shumë e vlefshme, pasi intervenimi me kohë minimizon dëmin”, ka thënë Shala për emisionin “038” në KTV.
Për kthimin e unazës kryesore të Prishtinës në rrugë njëkahore, Shala, ka thënë se për zjarrfikësit është më problem, pasi ka raste kur informatat nuk jepen të sakta e atëherë u bie të bëjnë rrugë dyfishë.
Ai ka treguar se në mungesë të GPS-it në vetura, nganjëherë duhet kërkuar ndihmë edhe nga taksistët për të gjetur lagjet.
“Më besoni ka pasur shumë raste që jemi ndaluar afër taksistëve e u kemi kërkuar të na gjejnë rrugën, pasi nuk e dimë se ku është. Na kanë ndihmuar me GPS-in e tyre apo ka pasur raste kur na kanë prirë deri te hyrja e rrugës. Kemi diskutuar me udhëheqësin tonë, komandantin për punën e GPS-ave, e ai me tjerët. Do të ishte ndihmesë e madhe për gjetje rruge”, ka thënë Shala.