Zjarrfikësit në Prishtinë janë ankuar për mungesë të personelit. Malë Gashi nga Brigada e Zjarrfikësve ka thënë se është hyrë në zonën e zjarreve fushore, por shton se gjendja aktualisht është e menaxhueshme.
Ai ka thënë se vetëdija këtë vit është shumë më e madhe.
“Vitin e kaluar i kemi pas krejt vitin 2177 intervenime, ndërkaq tash i kemi rreth 900. Tash është koha kur bëhet ngritja e këtyre rasteve. Intervenimet me rrezikshmëri shumë më të lartë janë në sezonin e dimrit. Duhet t’u përmbahemi rregullave që i ka hartuar komuna. Neve na bëhet dëm shumë i madh. Ne kemi personel shumë të vogël. Krejt personeli shkon në zjarre fushore e pastaj mbetet i tërë kryeqyteti pa siguri”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se me 5 zjarrfikës të Fushë Kosovës, janë 87 persona në personel operativ. Sipas tij, vetëm Prishtina në bazë të statistikave duhet t’i ketë 147 zjarrfikës.
Gashi ka thënë se ideja për angazhim të zjarrfikësve sezonal nuk është e duhur.
Behar Shala nga Brigada e Zjarrfikësve ka thënë se shpesh bujqit duke menduar që e djegin vetëm pjesën e vet të fushave, shumë shpesh zjarri përhapet.
Ai ka thënë se këtë vit është parë vetëdijesim shumë më i madh sa i përket rasteve të zjarreve fushore.
Sipas tij, ata janë të pajisur vetëm me rroba të zjarreve të brendshme, dhe kur dalin në zjarre jashtë, dehidrimi është shumë më i lehtë.
“Zjarret nuk po shkaktojnë vetëm djegie por edhe ndotje. Sfidat tona janë të shumta. Qytetarët duhet të bëjnë kujdes sepse jo gjithmonë zjarrfikësit mund të përgjigjen. Me kujdes të shtuar qytetarët e ruajnë vetën por edhe neve”, ka thënë ai.