Arbëri

Mbi 1.300 intervenime për shuarje zjarresh në Komunën e Prishtinës

“Dita e djeshme, pra dhe mbrëmja ka qenë shumë e rëndë për kryeqytetin dhe njësitë e kryeqytetit, i kemi pasur 44 intervenime gjatë 24 orëve të fundit”, ka thënë drejtori i Drejtorisë për Siguri dhe Emergjenca në Komunën e Prishtinës, Lulzim Fushtica

Temperaturat e larta e pakujdesia e qytetarëve e kanë rritur numrin e zjarreve këtë vit për 15 për qind krahasuar me vitin e shkuar, ka thënë Abdusamed Shkodra, zëvendëskomandant i Brigadës së Zjarrfikësve të Prishtinës. 

Sipas Shkodrës, situatë më alarmante ishte të shtunën dhe në javën e parë të korrikut. Numri i intervenimeve në 6 muajt e parë të vitit ka shkuar në mbi 1000, e zjarrfikësit para vetes i kanë edhe dy muaj të nxehtë.

“Diku 1300 intervenime kanë ndodhur, por këto nuk janë vetëm zjarre të hapura, por përfshihen edhe zjarre në objekte, zjarre të hapura edhe intervenime teknike”, ka thënë Shkodra.

E, drejtori i Drejtorisë për Siguri dhe Emergjenca në Komunën e Prishtinës, Lulzim Fushtica, tha se ka indikacione që java e ardhshme do të jetë më e qetë për shkak të rënies së temperaturave. Shtoi se e shtuna ishte ditë shumë të ngjeshur sa u përket intervenimeve. 

“Dita e djeshme, pra dhe mbrëmja ka qenë shumë e rëndë për kryeqytetin dhe njësitë e kryeqytetit, i kemi pasur 44 intervenime gjatë 24 orëve të fundit, disa kanë qenë më të komplikuara, që kanë kërkuar menaxhim më kompleks, kanë qenë të angazhuar 40 zjarrfikës”, ka deklaruar drejtori Fushtica.

Ai tha se dëme shkaktuan edhe nga erërat, ku të shtunën në mbrëmje, në “Rrugën C”, u shkatërrua kulmi i një ndërtese. 

Fushtica theksoi se ende nuk është kryer vlerësimi i dëmeve. Por për ato të shkaktuara në objekte të përbashkëta banesore, tha se përgjegjësia bie mbi banorët. E për dëmet e shkaktuara nga zjarri në fusha, sipas tij, kompensimin duhet ta kryejë niveli qendror. 

“Sa u përket dëmeve të tjera në fusha, në pyje, atëherë është Komisioni për Vlerësimin e Dëmeve që e bën vlerësimin e dëmeve dhe pagesën nga fatkeqësisht natyrore dhe ato të shkaktuara nga dora e njeriut, atëherë është përgjegjësi e nivelit qendror”, ka shtuar ai. 

E në një njoftim të Agjencisë së Menaxhimit Emergjent, thuhet se shiu që ra në orët e para të së dielës ka ndihmuar shumë. 

“Aktualisht, është aktiv vetëm një zjarr në fshatin Trudë, Komuna e Prishtinës, ku ekipet janë në terren. U bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve që të tregojnë kujdes të shtuar, ta shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr dhe ta raportojnë menjëherë çdo vatër të dyshimtë tek autoritetet përkatëse”, thuhet në njoftimin e AME-së.

Sipas të dhënave të Institutit Hidrometeorologjik, e shtuna ishte njëra nga ditët më të nxehta, prej kur mbahen evidenca. Temperaturat në disa komuna shënuan mbi 40 gradë Celsius.