Pa njësi të zjarrfikësve ka mbetur qe trembëdhjetë vjet Komuna e Fushë-Kosovës.
Në rast të ndonjë zjarri në këtë komunë, duhet të intervenojë Brigada e zjarrfikësve nga Komuna e Prishtinës.
E mundësia për të mos arritur me kohë është shumë e madhe për shkak të komunikacionit të dendur.
Shefi i Brigadës së zjarrfikësve në Prishtinë, Latif Zeka, ka thënë se përveç kryeqytetit, në përgjegjësi të kësaj brigade janë edhe Fushë-Kosova, Obiliqi e Graçanica.
“Çdo komunë duhet t’i kishte zjarrfikësit e vet, jo me shkua na prej Prishtine, si në Fushë-Kosovë ka qenë një rast ku kemi intervenua, jemi vonua se me të vërtetë ka qenë komunikacioni i dendur. Ka qenë ora diku pas 15:00 edhe kemi bë gati 20 minuta. Edhe ata u ankuan qytetarët, thanë pse kaq kohë të gjatë. Unë iu thash me fluturua zjarrfikësit nuk munden, por duhet të shkoni të bisedoni me kryetarin e Komunës edhe të formohet Njësia në komunën e juaj”, ka thënë Zeka.
Drejtori për Shërbime Publike në Fushë-Kosovë, Maliq Berisha, ka thënë se deri në vitin 2009 e kanë pasur një Njësi të zjarrfikësve që ka funksionuar me një menaxher, katër zjarrfikësve dhe një vozitës. Por, nga 2009 kjo njësi ishte bartur në Brigadën e zjarrfikësve të Prishtinës.
“Është e vërtetë që ekzistenca e një Njësie të veçantë në Fushë-Kosovë, se Fushë-Kosova ditë e përditë po rritet dhe po bëhet shumë ma e ndieshme, një terren i cili rrezikohet nga zjarri dhe nga njësitë tjera emergjente, por si e thash edhe më përpara, pamundësia e rritjes së stafit dhe ndërtimi i një njësie themelore në Fushë-Kosovë na e ka bërë të mundshme që këtë njësi ta bartim në Prishtinë, që për fat të mirë deri më tash Njësia e Prishtinës e ka mbuluar mrekullisht mirë”, është shprehur Berisha.
E shefi i Grupit të këshilltarëve të Vetëvendosjes në Fushë-Kosovë, Durim Hajra, ka thënë se kjo komunë qëndron keq në aspektin e sigurisë.
“Komuna e Fushë-Kosovës në vitet e fundit është zgjeruar shumë në aspektin e ndërtimeve. Pra, kemi objekte banesore kolektive, për të cilat ne në vazhdimësi kemi thënë që nuk po respektohen aspektet edhe kriteret e sigurisë. Pra, nuk janë të pajisura me shkallë emergjente, hidrantë edhe shenjëzime dhe kushte të tjera në aspektin e sigurisë. Por, shtoja këtu faktin që Komunës së Fushë-Kosovës i mungon edhe një stacion, një ekip i njësisë profesionale të zjarrfikësve dhe shpëtimit”, pohoi Hajra.
Drejtori Maliq Berisha ka thënë se në momentin që u jepet mundësia do ta rikthejnë Njësinë e zjarrfikësve në Fushë-Kosovë. Por, sipas tij, kjo njësi nuk do të mund të funksiononte si duhet pa të paktën 30 zjarrfikës.