Radhë të gjata të kolonave vazhdojnë të jenë përditshmëri e kryeqytetit, përkundër që kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, që nga mandati i tij i parë kishte premtuar zgjidhje për këtë problem.
Gjatë mandatit të parë, kryetari Rama kishte marrë një iniciativë për krijimin e një unaze njëkahore brenda qytetit, por e cila dështoi.
Tani në Policinë e Kosovës kanë thënë se i kanë propozuar kryetarit Rama që kjo unazë të zgjerohet, duke e kthyer gjithë qytetin në rrugë njëkahore.
“Na kemi kërkuar që rrethi që është testuar më herët të bëhet më i gjerë dhe të përfshihen të gjitha lagjet në atë rreth. Ne kemi problem me autobusë që nuk mund të kalojnë nëpër disa rrugë dhe rrugët që janë testuar nga komuna kanë qenë një perimetër i ngushtë. Hyrja njëkahore duhet të nisë te rrethi i spitalit dhe dalja në rreth të Mitrovicës”, ka thënë komandanti i Njësisë Rajonale të Trafikut Rrugor për Rajonin e Prishtinës, Sylejman Halili.
Por për rrugët njëkahore qytetarët kanë mendime të ndryshme.
“Nuk ma merr mendja që është zgjidhje... kah do me shku”, ka thënë një qytetar.
“Është e vërtetë që ka mundësi të përmirësohet qarkullimi. Rrugët njëkahëshe gjithmonë sjellin shkarkim të komunikacionit. Do të ishte mirë që secila lagje të kishte diçka të tillë. Problem është sheshi në qytet. Jam për hapësirë më të madhe për qytetarët që sa më pak të përdoren automjetet”, ka thënë një qytetare.
“Një orë s’mund të dalësh nga Prishtina. Kjo është marri e shekullit. Çfarë shteti... nuk di gjë. Po mundohen, por s’ka asgjë njëherë për njëherë”, ka thënë një tjetër.
E njohësi i komunikacionit, Nol Dedaj, ka deklaruar se është e pamundur të realizohet një gjë e tillë. Sipas tij, së pari duhet të bëhet zoonimi i qendrës pastaj të merren veprime konkrete.
“Po shpresoj që kryetari Rama i ka ekspertët e vet dhe e ka planin urban e do ta realizojë atë, me krijimin e dy zonave. Zona e dytë të lidhet me rrugët nacionale, rajonale, ose autoudhë. Kjo është zgjidhja më e mirë. Pastaj lidhja mes dy zonave duhet të bëhet me rrugë që ne i parashohim, si lidhësa”, ka thënë ai.
Përkundër që Komuna e Prishtinës ka deklaruar që nga viti i kaluar e kanë bërë valën e gjelbër të semaforëve në qendër të Prishtinës, Dedaj ka thënë se kjo nuk ka ndodhur megjithëse është shumë e nevojshme për lirimin e komunikacionit.
Nga Komuna e Prishtinës nuk kanë treguar nëse e kanë ndonjë plan konkret në lidhje me kthimin e rrugëve kryesore të Prishtinës në rrugë njëkahore. Por drejtori i Shërbimeve Publike, Luftar Braha, ka thënë për KOHËN se kanë plane afatgjate për rregullimin e trafikut në Prishtinë.
“Policia e Trafikut merr pjesë në grupet punuese së bashku me ne dhe ekspertët e tyre janë pjesë e këtyre grupeve punuese. Ata mund të bëjnë ndonjë propozim por që ne pastaj i marrim vendimet. Kemi plane afatgjate për rregullimin e trafikut në Prishtinë për të cilat mund t’i diskutojmë në ndonjë emision më gjerësisht”, ka thënë ai për emisionin 038.
Vite më parë Komuna e Prishtinës bëri disa testime për një unazë njëkahore brenda qendrës së Prishtinës, mirëpo ai projekt dështoi pasi krijoheshin edhe më shumë tollovi dhe u kritikua shumë edhe nga qytetarët.